LEXONI KETU, ZHVILLIMET E NGJARJES, MINUTE PAS MINUTE
Tiranë, 17 Korrik 2010 NOA/ Irma Toptani – Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit vetëm pak çaste më parë ka folur zyrtarisht mbi aksidentin e ndodhur rreth orës 17.00’, të ditës së sotme.
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë njoftim se gjatë lëvizjes në aksin rrugor Fushë Arrës-Durrës, në fshatin Dom Gjegjan, ka dalë nga rruga një autobus me pasagjerë i linjës Fushë Arrës- Durrës, me targë PU 1330 A, me drejtues shtetasin Zef Mark Gjergji, vjeç 45, nga fshati Gojan, Komuna Gjegjan e rrethit të Pukës.
Me të marrë informacionin me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Z. Lulzim Basha është ngritur shtabi i punës për menaxhimin e kësaj ngjarje të rëndë.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë Forcat Renea, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat e policisë së zonës, ndërkohë që janë dërguar dhe forca të tjera shtesë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër dhe Lezhë.
Për transportimin e të dëmtuarave të kësaj ngjarje të rëndë janë vënë në dispozicion 6 helikopterë, 3 të Policisë së Shtetit, 2 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe 1 i Ministrisë së Mbrojtjes.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e daljes nga rruga të këtij mjeti kanë humbur jetën 12 persona, si dhe janë plagosur 12 shtetas të tjerë.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se drejtuesi i mjetit Zef Gjergji ishte i pajisur me leje drejtimi mjeti dhe ishte një drejtues mjeti me përvojë shumëvjeçare, ndërkohë që në kohën e udhëtimit kushtet e motit ishin përkeqësuar.
Aktualisht në spitalin e Gjegjanit janë transportuar trupat e pajetë të shtetasve:
1. Arsen Marku,
2. Paulin Gjoni,
3. Mimoza Hasani,
4. Adem Mustafa,
5. Martin Lleshi
6. Alma Marku,
7. Albiona Marku,
8. Një i paidentifikuar,
Ndërkohë në spitalin e Pukës janë transportuar trupat e pajetë të shtetasve:
1. Fran Paloka,
2. Gjovalin Pera
3. Një i paidentifikuar,
Ndërkohë sipas konfirmimit nga mjekët ka humbur jetën në spitalin ushtarak dhe drejtuesi i mjetit Zef Gjergji.
Po ashtu në spitalin Ushtarak në Tiranë janë transportuar 5 të plagosur, ku 1 fëmijë është jashtë rrezikut për jetën dhe 3 fëmijë të tjerë në gjendje të rëndë. Aktualisht në drejtim të këtij spitali po transportohen me helikopter dhe 7 të dëmtuar të tjerë nga ky aksident.
Aktualisht në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti të rëndë.
i.t/r.n/NOA