Afganistan - Një Kamikaz Me Biçikletë Shkakton Tre Të Vdekur Dhe 35 Të Plagosur
KABUL, 18 korrik /ATSH-AFP/ - Tre persona u vranë dhe 35 të tjerë u plagosën nga një kamikaz me biçikletë i cili vuri në veprim ngarkesën e tij të eksplozivit sot në qendër të Kabulit, dy ditë përpara një konference të rëndësishme ndërkombëtare në kryeqytetin afgan, njoftojnë burime zyrtare.
"Tre persona gjetën vdekjen dhe mes tyre është një fëmijë", bëri të ditur një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, Kargar Norghli.
"Ishte një kamikaz me biçikletë, ai po përpiqej të shkonte në një zonë të veçantë, por për shkak të pranisë së madhe të forcave të sigurisë, u detyrua ta aktivizonte bombën e tij në një rrugë pak të frekuentuar", deklaroi Zemarai Bashari, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.
Një gazetar i televizionit Tolo citoi disa dëshmitarë të cilët treguan se sulmuesi kishte në objektiv një autokolonë të forcës ndërkombëtare, një informacion ende i pakonfirmuar.
Shpërthimi u ndje në ndërtesat përreth, njoftoi një dëshmitar afgan.
Një fotoreporter i AFP-së ka parë në vend trupa të copëtuar dhe shumë automjete që ishin parkuar atje mjaft të dëmtuara.
"Shpërthimi ishte i fortë, xhamat e dritareve të ndërtesave nga të dy anët e rrugës u thyen", tregoi Xhavid Vardak. "Pashë katër apo pesë persona të plagosur. Ata u dërguan në spital me automjete civile", shtoi ai.
Ky atentat ndodh dy ditë përpara një konference të rëndësishme ndërkombëtare në Kabul, ku pritet të marrin pjesë rreth 40 ministra të Jashtëm, ndër të cilët sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
/I.Pu.