English

Aksidenti Tragjik Në Gjegjan/ Sot Dite Zie Kombetare

TIRANE, 18 Korrik/ATSH/- Në të gjithë vendin sot është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të 14 viktimave që humbën jetën dje pasdite, kur një kur një autobus me pasagjerë përfundoi në një humnerë në fshatin Dom të komunës Gjegjan në Fushë Arrëz, në veriperëndim të Shqipërisë rreth 200 kilometra larg Tiranës. Në spitalin Ushtarak në Tiranë dhe në atë të Shkodrës gjenden 16 të plagosur, të cilët pasi u transportuan me helikopterët helikopterë të emergjencës civile dhe ministrive të Shëndetësisë dhe të Mbrojtes, po kurohen nën kujdesin e madh të mjekëve. Fill pas aksidentit të rëndë, ministria e Brendshme ngriti menjëherë grupin e emergjencës. Në vendngjarje, krahas forcave të shumta të policisë dhe punonjës të shëndetësisë u nisën zv/ministri i Brendshëm Avenir Peka dhe drejtori i Pergjithshem i Policise se Shtetit, Hysni Burgaj. Qeveria shqiptare e ka shpallur ditën e sotme dite zie kombetare, në nderim të viktimave të aksidentit tragjik në Fushë Arrëz. "Një aksident që ka sjellë një zi të rëndë në Pukë dhe mbarë vendin", e cilësoi Kryeministri Sali Berisha këtë ngjarje, pasi u njoh nga afër me gjendjen e të plagosurve që ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin ushtarak në Tiranë. "Dua t'u shpreh familjeve të viktimave, popullit të Fushë-Arrëzit, të Pukës, ngushëllimet më të sinqerta të qeverisë shqiptare, t'i siguroj se mbarë shqiptarët ndajnë sonte zinë e rëndë, që i ka pllakosur familjet e tyre", tha për mediat Berisha, i cili pas aksidentit të rëndë anulloi axhendën e aktiviteteve që kishte planifikuar për fundjavë. Të plagosurit nga ky aksident u vizituan dje në mbrëmje dhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili u shpreh për mediat se "ndjehem shumë i lënduar për këtë aksident me përmasa tragjike. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, duke qenë pranë tyre në këto momente të veshtira. Uroj që të plagosurit të dalin nga gjendja kritike". Më pas, për gjendjen e tyre shëndetësore u interesua dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili zhvilloi një vizitë në spitalin ushtarak ku dhe shprehu ngushëllimet për të afërmit e viktimave. Edhe Konferenca Ipeshkevore e Shqiperise shprehu keqardhjen për tragjedinë e ndodhur ne aksin rrugor Rrëshen-Fushë Arrez bashkë me solidaritetin e saj me familjet e viktimave. "Shpresojme që ata të përjetojnë sa më lehtë këto momente vështirësie që i kanë prekur nga afër. I lutemi Zotit për shpirtin e atyre që kanë vdekur dhe shërim sa më të shpejtë për ata që janë të plagosur", thuhet ne njoftimin ne emer te Imzot Rrok Mirdites, president i Konferences Ipeshkevore te Shqiperise. Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 17.00 të ditës së djeshme në fshatin Dom të Gjegjanit dhe mendohet se shkak i tij kanë qenë shirat që kanë përfshirë këtë zonë. Sipas policisë autobusi me pasagjerë i linjës Fushë Arrës- Durrës, me targë PU 13-30 A, drejtohej nga Zef Mark Gjergji, 45 vjeç nga fshati Gojan, komuna Gjegjan i rrethit të Pukës. "Drejtuesi i mjetit, Zef Gjergji, ishte i pajisur me leje drejtimi mjeti dhe kishte një përvojë shumëvjeçare si shofer, por në kohën e udhëtimit kushtet e motit u përkeqësuan", thanë burimet zyrtare të policisë. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, u ngrit shtabi i punës për menaxhimin e kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë forcat Renea, forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat e policisë së zonës, ndërsa u dërguan dhe forca të tjera shtesë të drejtorive të policive të qarqeve Shkodër dhe Lezhë, ndërsa për transportimin e të dëmtuarave, u vunë në dispozicion 6 helikopterë nga Policia e Shtetit, ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes. Aktualisht, në vendin e ngjarjes grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti të rëndë./n.m/
KOMENTE