English

Çmimi i kakaos, arrin nivelin rekord të 30 viteve të fundit

Torino, 18 korrik, NOA – Për dashamirësit e çokollatës, këtë vit premtohet një dimër i ashpër. E kjo, pasi këtë javë, një ton kakao arriti nivele rekord, duke kapur çmimin më të lartë në 33 vitet e fundit, ku në disa muaj rritja ishte pothuajse 50 %.

Ekspertët pohojnë se gjatë pesë viteve të fundit, çmimi i këtij produkti të tregut botëror, është 3-fishuar.

Ata e shpjegojnë këtë me mungesën e kontrollit dhe transparencës në tregun e mallrave bujqësore, gjë e cila shoqërohet me rritjen e papritur të çmimeve dhe natyrisht, manipulim të tyre.

Vetëm të enjten, fondi Armajaro me bazë në Londër, ka kryer kontrata për të ardhmen e kakaos për mbi 240 000 ton.

Një shifër tronditëse kjo që korrespondon me 7% të prodhimit botëror të saj dhe që ka qenë gjatë një dite, disa orë para skadimit të kontratës, duket kjo një teknikë e përdorur për të manipuluar çmimin. Tani tregtarët pyesin se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm.

Pjesa e madhe e kakaos është vënë përsëri në vend ose do të mbahet mënjanë, që të rrisë më tej çmimin e kakaos?

Problemi megjithatë nuk është i ri. Sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pjesa e prodhimeve bujqësore në duart e investitorëve të mëdhenj është rreth 25-30% e totalit dhe pasojat janë ndjerë në vendet me më shumë prodhues të kakaos si Bregu i Fildishtë, Brazili, Gana dhe Nigeria. n.e/NOA

KOMENTE