Dy Tërmete Të Fortë Godasin Sot Rajonin Pranë Guinesë Së Re Papua
- Nuk ka alarm për cunami në Paqësor -
SIDNEI, 18 korrik /ATSH-AFP/ - Dy tërmete të fortë me magnitudë 7.3 dhe 6.9 ballë goditën mesditën e sotme rajonin e Guinesë së Re Papua, njoftoi Instituti Gjeofizik amerikan duke korrigjuar të dhënat e mëparshme.
Tërmeti i parë, me magnitudë 6.9 ballë u regjistrua në orën 11:04 (1304 GMT) 110 kilometra në lindje të Kandrianit, pranë ishullit Britania e Re, 58 kilometra në thellësi të tokës. Tërmeti i dytë, gjysmë ore pas të parit, me magnitudë 7.3 ballë, u regjistrua në orën 11:35 (1335 GMT) rreth 105 kilometra në lindje të Kandrianit, 51 kilometra në thellësi të tokës.
Më parë Instituti amerikan njoftoi se tërmeti i dytë u regjistrua me magnitudë 6.8 ballë. Epiqendra e dy tërmeteve ndodhet rreth 525 kilometra në verilindje të kryeqytetit të Guinesë së Re, Port Moresby. Ndërkohë Qendra për alarmin e Cunameve në Paqësor njoftoi se nuk kishte asnjë rrezik për ndonjë cunami shkatërrimtar në rajon.
Guineja e Re Papua ndodhet në verilindje të Australisë, pranë "Unazës së Zjarrtë" të Paqësorit, një zonë e quajtur kështu për shkak të aktivitetit shumë të lart sizmik.
/e.v/