English

Ekonomi - Qeveria Hungareze Do T'I Plotësojë Kërkesat E Fmn-Së Dhe Be-Së Për Reforma

BUDAPEST, 18 korrik /ATSH-AFP/ - Qeveria hungareze e konservatorit Viktor Orban konfirmoi sot se do t'i vazhdojë reformat strukturore të kërkuara nga FMN-ja dhe Bashkimi Evropian, pas një sërë konsultimesh me përfaqësuesit e tyre nga data 6 deri më 17 korrik. "Qeveria hungareze do ta vazhdojë politikën e reformave strukturore në fushat e cilësuara si të rëndësishme nga partnerët tanë si ato të sistemit fiskal, të shëndetit publik dhe të transportit të përbashkët", bëri të ditur ministri i Ekonomisë György Matolcsy në një komunikatë. "Qëllimi i qeverisë është që Hungaria të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur një nga vendet më konkurruese dhe të qëndrueshme të Evropës Qendrore, shtoi ai duke theksuar se bisedimet do të vazhdojnë me përfaqësuesit e FMN-së dhe BE-së. Shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Hungari, Christoph Rosenberg, foli dje për "vendime të vështira" për zvogëlimin e deficiteve publike të Hungarisë, sidomos për zvogëlimin e shpenzimeve dhe ristrukturimin e ndërmarrjeve publike. Ai theksoi në një komunikatë se "objektivat e njoftuara të zvogëlimit të deficitit, 3,8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, PBB, në vitin 2010 dhe më pak se 3 për qind në vitin 2011, mbeten një bazë e përshtatshme për procesin e nevojshëm të konsolidimit, por duhet të merren disa masa shtesë për arritjen e tyre". Rosenberg theksoi veçanërisht se masat që synojnë rritjen e të ardhurave fiskale, si një taksë bankare e jashtëzakonshme, duhet të plotësohen me masa "të qëndrueshme" për sa u përket shpenzimeve. Qeveria konservatore hungareze parashikon 650 milionë euro të ardhura vjetore në vitet 2010 dhe 2011 falë taksës në sektorin financiar. Përballë rëndësisë së kësaj takse, disa banka parashikojnë zvogëlimin e investimeve në vend, ndërkohë që analistët paralajmërojnë për pasoja të kësaj mase në konsum. Budapesti, i goditur shumë ashpër nga kriza ndërkombëtare, ka siguruar në tetor të vitit 2008 një hua prej 20 miliardë eurosh nga FMN-ja dhe BE-ja. Marrëveshja do të përfundojë në tetor të këtij viti. /I.Pu.
KOMENTE