Lezhë, 18 Korrik, NOA Update – Pak ditë më parë do të grabisnin me dhunë, duke mbajtur maska në fytyrë ndaj tre malazezëve në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Kallmetit” në superstradën Lezhë-Shkodër, por paraditen e sotme ata kanë mundur të vihen në pranga nga forcat e policisë të Lezhës.
Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se të ndaluarit janë Vladimir Nikolli, 20-vjeç, lindur në Mirditë e banues në fshatin Barbullojë të Lezhës dhe Flori Nikolli, 25-vjeç, banues në qytetin e Lezhës.
Ndërkaq, është shpallur në kërkim personi i tretë, që bashkëpunoi me ta në grabitjen e turistëve malazezë në aksin rrugor të lartpërmendur, i cili siç raportohet nga burimet policore, mësohet se është 23-vjeçari Ardit Skandaj.
Nga ana tjetër, mësohet se është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale, edhe motori i markës “Honda”, me të cilin autorët kanë kryer grabitjen dhe që i përkiste të ndaluarit të dytë, Flori Nikolli.
E duke shpjeguar kapjen e tyre, policia shpjegon se ata janë konstatuar teksa po lëviznin me automjetin me targe TR 7870 R dhe u është bërë thirrje për të ndaluar.
Por këta të fundit kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, fillimisht duke u përplasur me mjetin e tyre në postobllokun e ngritur për kapjen e tyre, ku mbeti i dëmtuar lehtë një nga efektivat e policisë rrugore.
Ndërsa më pas, kanë qëlluar me armë zjarri ndaj forcave të policisë, ku këta të fundit i janë përgjigjur zjarrit, dhe për pasojë, ka mbetur i vdekur personi me inicialet A.S, 16 vjeç, i cili ndodhej në makinë me dy autorët e lartpërmendur.
n.e/NOA