English

Greqi - Vihet Nën Kontroll Zjarri I Madh Në Verilindje Të Athinës

ATHINË, 18 korrik /ATSH-AFP/ - Zjarri i madh që ra dje në një pyll në verilindje të Athinës dhe që dogji më tepër se 800 hektarë u vu nën kontroll sot në mëngjes, njoftuan burime pranë skuadrave zjarrfikëse. Zjarri vazhdoi gjatë gjithë natës në disa rajone me terren të vështirë pranë Varnavës dhe Microhorit duke iu afruar banesave të mbrojtura nga zjarrfikësit dhe banorët. Në mëngjes, katër avionë dhe tre helikopterë kanë arritur ta kufizojnë zjarrin. "Nuk kishte më fronte aktive orët e fundit të mëngjesit dhe zjarrfikësit po përpiqen të shuajnë vatrat e vogla", shtoi shërbimi i zjarrfikësve. Në terren, 328 zjarrfikës dhe 61 automjete, të mbështetura nga 122 ushtarë dhe rreth 40 kamionë çisternë, kanë marrë pjesë në luftën kundër fatkeqësisë. Zjarrfikësit hapën një hetim për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit. Ata po zhvillojnë kontrolle veçanërisht në një stacion elektrik që mund të ketë luajtur një rol në fillimin e zjarrit. Prokurorja e Athinës, Eleni Raiku, ka filluar një hetim paraprak për zbulimin e neglizhencave të mundshme ose të objektivave të qëllimshme që mund të kenë shkaktuar zjarrin, mësohet nga burime gjyqësore. Shërbimi i zjarrfikësve vazhdon të jetë sot në gjendje alarmi në Atikë, ku përfshihet rrethi i Athinës dhe në ishullin Eube, ku mbrojtja civile ka shpallur alarmin portokalli. /I.Pu.
KOMENTE