Durrës, 18 korrik, NOA Update – Jetonte në Slloveni dhe kishte ardhur në Shqipëri për të kaluar disa ditë pushimesh në Vlorë, pasi i pëlqente shumë ky qytet, aq sa me emrin e tij i pëlqente të thërriste edhe vajzën e saj 11-vjeçare.
Këto janë detajet e reja që japin ekspertët e grupit hetimor, lidhur me zbardhjen e ngjarjes së rëndë, ku një grua kosovare gjeti vdekjen sapo zbriti nga trageti i linjës Trieste-Durrës sot në Portin e Durrësit.
Gruaja kosovare me emrin Gjylnaze Morina, 48-vjeç, bëhet me dijeni se jetonte në Slloveni dhe do të qëndronte vetëm 5 ditë në Vlorë për t’u kthyer sërish atje.
Nga ana tjetër, ekspertët hetimorë raportojnë në mënyrë paraprake se ajo pas zbritjes nga trageti në Durrës, do të shkonte në Vlorë, por nuk ka mundur t’i shijojë dot pushimet e saj, pasi ka gjetur vdekjen, që siç thuhet deri nga hetimet e deritanishme, i ndodhi për shkak të një sulmi të fortë kardiak.
n.e/NOA