Izrael - Netanjahu Niset Për Në Egjipt Për Bisedimet E Drejtpërdrejta Me Palestinezët
JERUSALEM, 18 korrik /ATSH-AFP/ - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u nis sot nga Tel-Avivi për një vizitë të shkurtër në Egjipt, ku pritet të bisedojë për procesin e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve me presidentin Hosni Mubarak, njoftoi radioja publike izraelite.
"Egjipti luan një rol qendror dhe do të diskutoj me presidentin egjiptian lidhur me mënyrat për nxitjen e bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve", deklaroi Netanjahu përpara nisjes.
Izraeli dhe palestinezët kanë filluar në maj bisedime jo të drejtpërdrejta nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara, por këto bisedime nuk kanë sjellë asnjë përparim dhe Uashingtoni po përpiqet tashmë të nxisë dialogun e drejtpërdrejtë mes të dy palëve.
Megjithatë, presidenti palestinez Mahmud Abas, i cili ndodhet gjithashtu në Kajro sot, kërkon garanci lidhur me mosmarrëveshjet për kolonizimin hebre dhe të Jerusalemit Lindor përpara rifillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta me Izraelin.
Bisedimet e drejtpërdrejta janë pezulluar gjatë ofensivës së fundit ushtarake izraelite kundër Rripit të Gazës në fund të vitit 2008.
Netanjahu dhe Abas nuk do të takohen sot në Kajro.
/I.Pu.