Japoni - Të Paktën 10 Të Vdekur Nga Shirat E Rrëmbyeshëm
TOKIO, 18 korrik /ATSH-AFP/ - Bilanci i shirave të rrëmbyeshëm që ranë këtë javë në perëndim të Japonisë arriti sot në 10 të vdekur, pas gjetjes së një trupi pranë një lumi.
Kufoma e një burri 26 vjeç u gjet përgjatë lumit Kiso, në prefekturën Gifu, në qendër, njoftoi policia.
Forcat e vetëmbrojtjes, emri zyrtar i ushtrisë japoneze, kanë përdorur këtë javë helikopterë dhe anije për t'u ardhur në ndihmë banorëve të kapur në befasi nga rritja e nivelit të ujërave të cilat përmbytën fusha dhe zona të banuara.
Verën e kaluar, 25 persona kanë vdekur në Japoni nga përmbytjet ose nga rrëshqitjet e tokës të shkaktuara nga shira të rrëmbyeshëm.
/I.Pu.