English

Katastrofa po merr fund, por askush nuk e di koston e saj

Uashington, 18 korrik, NOA – Katastrofa e naftës në Gjirin e Meksikës duket se po merr fund. Rajoni megjithatë nuk mund të ndjehet i çliruar. Se sa kushton dëmtimi i mjedisit dhe shkatërrimi i vendeve të punës, këtë nuk mund ta thotë ende askush.

Ishte një deklaratë delikate: "BP do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet e punimeve të nevojshme të pastrimit." Kështu tha në maj Lamar Mckay, president i BP për Amerikën, para dhomës së Kongresit Amerikan në Uashington: "Ne do të dëmshpërblejmë të gjitha pretendimet legjitime".

Por sa e shtrenjtë do të jetë kjo, këtë nuk e di McKay. Madje askush. Madje edhe po qe se në muajt e ardhshëm nuk rrjedh më naftë nga vendi i dëmtuar i shpimit. Rajoni është ndotur dhe të gjitha përpjekjet për të ndryshuar gjendjen dramatike do të bëhen shumë të shtrenjta.

BP i paguan turizmit spote publicitare

Rreth 940 kilometra plazh në bregdetin amerikan janë ndotur nga nafta, shumë parqe kombëtare janë në rrezik. Dega e turizmit është e alarmuar. Të dëshpëruar ata tregojnë reklama për plazhet si ai Pensakol në Florida, në kohën më të mirë televizive në CNN dhe televizione të tjera. Një pjesë e madhe e filmave paguhet nga BP.

Më shumë se 35 % e ujërave janë të mbyllura për peshkim. Shumë peshkatarë kanë humbur punën, disa kanë nevojë për trajtim psikologjik. Autoritetet në Luiziana i kanë dërguar letër BP dhe kanë kërkuar 10 milionë dollarë për mbështetjen e peshkatarëve. Por koncerni bën fjalë për "dialog të mirë", por paratë nuk i ka nxjerrë ende nga dora.

Mjaftojnë 20 miliardë dollarë?

Më shumë se 3,5 miliardë dollarë ka paguar BP deri më tani: Për të mbyllur vrimën e shpimit, për pastrimin e ujërave dhe zhdëmtimin e popullsisë. Shtëpia e Bardhë në Uashington e detyroi BP të krijojë një fond me 20 miliardë dollarë. Duket se janë shumë para, por BP do ta ofrojë këtë shumë brenda katër vitesh. Sipas vëzhguesve, me krijimin e fondit, BP do të ndodhet në një pozicion më të mirë negocimi dhe do të pengojë dënimet e shtrenjta të gjykatave.

Nuk dihet nëse 20 miliardë do të mjaftojnë. Presidenti amerikan Barack Obama ka thënë se BP duhet të paguajë dëmin që ka shkaktuar, jo vetëm pasojat në mjedis, por edhe zhdëmtimin e njerëzve.

Askush nuk e do falimentimin e BP

BP duhet të përballojë, sipas të dhënave të veta, shpenzimet e shumta për pastrimin si edhe një fushatë marketingu në SHBA. Fatale për BP mund të bëhet ligji amerikan për ujin e pandotur. Sipas tij SHBA mund të kërkojë nga BP për çdo litër naftë të derdhur në det dëmshpërblim në vlerë deri në 27 dollarë. Kjo do të çonte në shpenzime miliardash.

Por megjithë zemërimin, dëshpërimin, askush nuk do që BP të paguajë aq shumë sa të shkatërrohet plotësisht. Sepse fondi i ndihmës do të vihej në rrezik. Shumë i tremben faktit të largimit të BP-s nga rajoni. Shumë njerëz do të humbisnin në këtë rast vendet e punës. Kostoja për katastrofën e naftës në një rast të tillë do të rritej edhe më shumë.

Deutsche Welle

KOMENTE