Kinë - Të Paktën 28 Të Vdekur Në Një Aksident Në Minierë
PEKIN, 18 korrik /ATSH-AFP/ - Të paktën 28 persona gjetën vdekjen në një aksident që ndodhi në një minierë qymyri në veriperëndim të Kinës, njoftoi sot Agjencia Hsinhua, që citon burime qeveritare lokale.
Aksidenti ndodhi në qytetin Hancheng, në provincën Shaanxi, të shtunën në mbrëmje, duke shkaktuar vdekjen e 28 minatorëve të cilët ndodheshin atje në atë çast, shtoi agjencia. Sipas të përditshmes "Huasheng Daily", aksidenti ndodhi në minierën e qymyrit Xiaonangu, në lagjen Sangshuping.
Agjencia nuk dha detaje për rrethanat e aksidentit, por për këtë po zhvillohet një hetim dhe autoritetet kanë urdhëruar inspektime në të gjitha minierat e tjera të rajonit, për të shmangur aksidente të tjera. Sipas mediave lokale, një zjarr mendohet të ketë rënë në kabllot elektrikë në pusin e minierës, duke shkaktuar katastrofën.
Minierat kineze janë më të rrezikshmet në botë: vitin e kaluar, 2 631 persona kanë vdekur në minierat e vendit, që sigurojnë 70 për qind të energjisë së tij.
/I.Pu.