Kosove - Kryeministri Thaci Per Vizite Zyrtare Ne Shba
PRISHTINË, 18 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u nis sot për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi në Shtëpinë e Bardhë do të zhvillojë një takim me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden.
Në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, kryeministri Thaçi, siç bëhet e ditur nga zyra e tij, do të ketë takime në Departamentin e Shtetit dhe në Kongresin e SHBA-ve, ndërsa do të pritet në takime të nivelit të lartë edhe nga udhëheqësit e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri Thaçi do të mbajë ligjëratë me temën "Ndërtimi i së Ardhmes Euro-Atlantike të Kosovës: Sfidat dhe Mundësitë Para Nesh". /a.ke/