English

Kuvendi Diskuton Nesër Në Parim Ndryshimet Në Buxhetin E Vitit 2010

TIRANË, 18 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Kuvendi i Shqipërisë do të diskutojë nesër parimisht, në një seancë që pritet të zgjasë, projektligjin "Për disa ndryshime në ligjin "Për buxhetin e vitit 2010". Ndryshimet e shqyrtuara në parim në komisionet parlamentare gjatë javës që po mbyllet kanë shkaktuar debate mes maxhorancës dhe opozitës, ku kjo e fundit është shprehur kundër përmirësimeve në buxhetin e shtetit. Gjatë prezantimit të tyre disa ditë më parë në komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se ndryshimet në buxhet nuk prekin investimet publike, që tashmë janë tenderuar dhe që përkundrazi janë intensifikuar financimet për to. Sipas tij, ndryshimet në ligjin e buxhetit 2010 vijnë pas një reflektimi disamujor nga ana e qeverisë, ndërsa ato marrin në konsideratë nevojën për maturim në politikat që kanë të bëjnë me këtë vit. Rishikimi i buxhetit, sipas ministrit shqiptar të Financave, konsiston në përmirësimin e zërave të miratuar të buxhetit. "Janë dy faktorët që kanë të bëjnë me zhvillimet në ekonominë globale dhe europiane dhe presionet e krizës që ka përfshirë këto vende", tha Bode, të cilat ai i vlerësoi si prezente edhe në vende që nuk patën elementë të brendshëm për të patur një krizë, por që sipas tij, kanë ngadalësuar ritmet e prodhimit. Duke ritheksuar faktin se vendi ynë është ndër të paktët në Europë që pati rritjen ekonomike më të madhe, Bode tha se moderimi i saj e bënte të domosdoshëm reflektimin e strukturës buxhetore që lidhet me nevojën për të mbajtur nën kontroll borxhin e vendit. Ministri Bode theksoi se pavarësisht efekteve të krizës globale ekonomia shqiptare ka performuar mirë në 5 muajt e parë të këtij viti. Me një rritje të të ardhurave të buxhetit, sipas tij, qeveria mendon që të korrigjojë njëkohësisht të përputhë pritshmërinë për rritjen ekonomike për vitin 2010 në masën e agregatëve financiare. Opozita nga ana e saj, gjatë diskutimeve në parim është shprehur skeptike lidhur me shifrat e parashikuara nga Qeveria për nivelin e realizimit të të ardhurave, deficitin buxhetor, borxhin publik, etj. Pas kalimit parimisht në Kuvend të ndryshimeve në ligjin e buxhetit 2010, projektligji do të kthehet në komisione për t'u shqyrtuar nen për nen. /a.ke/
KOMENTE