English

Lushnja, "Kryeqyteti" I Eksportit Të Perimeve

LUSHNJE, 18 Korrik /ATSH, Rr.Isufaj / - Fama dhe suksesi i fermerëve të qarkut të Fierit ka kohë që i ka kapërcyer kufijtë rajonalë dhe shtetërorë, pasi perimet e prodhuara prej tyre po konkurojnë denjësisht dhe janë bërë të kërkuar në tregjet e Bashkimit Evropian. Çdo ditë nga Lushnja nisen drejt Gjermanisë, Anglisë, Maqedonisë, Malit të Zi , Serbisë, Kroacisë, etj, rreth 500 ton perime, ndërsa fusha e Myzeqesë është shndërruar në stacion të zhurmshëm, ndërsa në qëndrën e madhe tregtare në të dalë të Lushnjes dhjetra maune me targa të ndryshmet sjellin nga fushat, bostan, domate, specka, patëllxhan, etj. "Qarku i Fierit, kryesisht rrethi i Lushnjes kanë krijuar përvojë dhe eksperiencë shumë të mirë në kultivimin e perimeve, por dhe kontakteve me kompani dhe ndërrmarrje grosiste që i grumbullojnë ato", thotë për ATSH-në drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Fier, Frederik Çuko. Ai shton se specialistët e bujqësisë po ndjekin nga afër jo vetëm shtimin e sipërfaqeve të kultivuara me perime, rritjen e rendimentit, por edhe problemet e tregut. "Eksporti i perimeve është kryefjala e ditës jo vetëm për fermerët, por dhe për specialistët e bujqësisë, që u japin fermerëve asistencën e duhur teknike, me qëllim që prodhimi i tyre të ketë çertifikatë dhe patentë konkuruese në tregjet ndërkombëtare" tha Çuko. Sipas tij, sivjet ka trefishim të sasisë së perimeve të eksportuara. Nga rreth 5000 ton të eksportuara vjet, këtë vit kjo shifër ka arritur në 15000 ton. "Ky është viti i parë që prodhimi i fermerëve shitet 100%. Për herë të parë mundi dhe djersa e fermerëve është shpërblyer në mënyrë të kënaqshme, pasi prodhimi nuk u kalb në parcelë, por çau rrugën e tregut. Para një viti shalqini digjej në parcelë, ndërsa këtë vit nuk është kalbur apo të ketë mbetur pa u mbledhur asnjë kokërr domate, bostan, etj, pasi janë tërhequr plotësisht nga tregtarët vëndas dhe të eksportit", tha Çuko. Pjekja e hershme, cilësia e lartë, shija, pastërtia biollogjike janë disa nga standartet, që i bëjnë perimet e qarkut mjaft të kërkuara në tregjet e vëndeve të BE. "Kohët e fundit ka kërkesa shumë të mëdha nga kompani të huaja për perimet tona për shkak të disa specifikave të veçanta. Rajoni favorizohet nga një situatë klimaterike që mundëson daljen e perimeve për një peridhë rreth 21 ditore më shpejt se vëndet e tjera", tha Çuko. Por sipas tij, zhvillimi bashkëkohor bujqësor shtron kërkesa për standarte shumë më të mëdha. "Ka ardhur momenti që mes prodhuesve dhe tregtarëve të rrjetit të brëndshëm dhe të eksportit të lidhen kontrata dhe marrëveshje të rregullta ligjore. Biznesi duhet të investojë për ngritjen e magazinave frigoriferike, që konvejeri i perimeve të jetë gjithë stinor dhe tregu gjatë gjithë vitit të "ngopet' me perimet vëndase. ndërsa ka ardhur koha që fermerët të organizohen në mikroferma, të kenë strukturat drejtuese dhe sektorin e marketingut", thotë Çuko. Ai kujton dhe përvojën e pasur që ka pasur ky qark në marrëdhëniet tregtare me kompani të huaja. "Leverdinë ekonomike të investitorëve në fushën e bujqësisë po e konkretizo me një shëmbull konkret. Para pak kohësh një kompani e njohur gjermane eksportuese u interesua për presh të thatë (të konservuar), pasi për disa vite kishte patur kontratë të rregullt me ish-Ndërmarrjen Ushqimore në Fier", thotë Çuko. Biznesi duhet të investojë edhe për konservimin e perimeve dhe industrinë përpunuese. "Sa më shpejt, aq më mirë", përfundon ai./n.m/
KOMENTE