Nis Kongresi I Xviii Ndërkombëtar Për Çështjet E Trajtimit Shumëplanësh Të Hiv/Aids
VIENE, 18 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Kongresi i XVIII Ndërkombëtar për HIV/AIDS, që po mbahet në Vienë (Austri) në datat 18-23 korrik, po zhvillohet në një moment të rëndësishëm në përgjigjen ndaj HIV dhe AIDS, kur vihen në dukje progreset e fundit në këtë drejtim, por dhe adresohen mjaft çështje të tjera të trajtimit mjekësor, respektimit të të drejtave të njeriut etj.
"Për herë të parë që nga zhvillimi i trajtimeve jetëshpëtuese për HIV-in, ka dëshmi për skenarë që demonstrojnë që aksesi i qëndrueshëm dhe i gjerë në trajtimin me antiretrovirale mund të shpëtojë jetë dhe ndihmon kundër epidemisë", tha në sesionin e hapjes Dr. Julio Montaner, President i Kongresit, njëherësh President i Shoqatës Ndërkombëtare të AIDS. "Në këtë moment premtues, ne duhet të qëndrojmë në këtë rrugë", theksoi ai.
Ndërkohë, për mbajtjen e Kongresit është zgjedhur Viena, për shkak të afërsisë së saj me Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, rajon me një rritje të epidemisë kryesisht tek përdoruesit e drogave të injektuara. "10 vite pas mbajtjes së Kongresit në Durban (Afrika e Jugut) mbi HIV/AIDS, ne u treguam skeptikëve se aksesi universal është i arritshëm; ky është qëllimi që mund dhe duhet të arrijmë", theksoi Brigitte Schmied, Presidente e Shoqatës Austriake të AIDS.
Gjatë 15 viteve të fundit, përparimet shkencore na kanë dhënë mjete në mënyrë efektive për parandalimin dhe trajtimin e HIV-it. Gjatë 7 viteve të fundit, ka pasur një progres të jashtëzakonshëm në shkallë deri në trajtimin e HIV-it dhe në një masë më të vogël në parandalimin e HIV-it, sidomos në vendet e ulëta dhe të ardhura mesatare. Këto investime kanë treguar rezultate pozitive, me infeksione më pak të reja dhe të vdekjeve të lidhura me AIDS raportuar në 2007, krahasuar me 2003, tha ajo.
Megjithatë, sipas drejtuesve të Kongresit, ka nevojë për urgjencë dhe përgjegjshmëri në trajtimit e kësaj çështje dhe jo për vetëkënaqësi.
Yves Souteyrand nga Organizata Botërore e Shëndetësisë vuri në dukje situatën globale të përhapjes së HIV/AIDS në botë, ndikimin e trajtimit me antiretroviralë në incidencën e HIV/AIDS, etj. Të dhënat, sipas tij, tregojnë se rreth 33.4 milion njerëz në botë jetojnë me HIV/AIDS nga të cilët mbi 2 milionë fëmijë. Megjithatë, 2.7 milion infektime të reja me HIV/AIDS tregojnë se ende ky virus nuk është nën kontroll. Infektimet e reja janë veçanërisht të larta në disa grupe vulnerabël në të gjithë botën, sikurse përdoruesit e drogave, etj. Ndërkohë, 8 milion njerëz të infektuar me HIV nuk kanë akses në trajtimet mjekësore, çka reflekton nevojën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të aksesit në shërbimet shëndetësore.
Në prezantimin e saj, Paula Akugizibwe, nga Aleanca e AIDS dhe të Drejtave në Afrikës së Jugut, u ndal në respektimin e të drejtave të njeriut, duke theksuar se 'përgjigja ndaj HIV është ndaj të drejtave të njeriut'. Barrierat e mëdha për të patur akses universal janë sfida sociale, ekonomike dhe politike, theksoi ajo.
Barrierat e shumta në trajtimin mjekësor të HIV u prezantuan nga Dr. Sharon Lewin nga Australia.
Pjesëmarrësit në Kongres, shkencëtarë nga e gjithë bota, përfaqësues shtetesh, përfaqësues të organizatave që veprojnë në këtë fushë, por edhe persona që jetojnë me HIV, drejtohen me një thirrje për të vepruar për të drejtat e njeriut dhe ndërmarrjen e kërkimeve shkencore, për akses të përgjithshëm në parandalimin, trajtimin, kujdesin dhe mbështetjen ndaj personave që jetojnë me HIV/AIDS.
Ndërkohë, shumë institucione të Vienës janë sensibilizuar me këtë nismë duke vendosur simbolin për këtë sëmundje në fasadën e tyre. /a.ke/