Policia Bën Të Ditur Shkaqet E Aksidenit
TIRANE, 18 Korrik./ATSH / Policia e Shtetit bën të ditur shkaqet e aksidentit të Fushë Arrëzit:
Nga hetimet e kryera nga grupi hetimor për zbardhjen e rrethanave dhe të shkakut të aksidentit të rëndë, ndodhur gjatë ditës së djeshme në aksin rrugor Fushë Arrës-Durrës, në fshatin Dom, Gjegjan, rezulton sipas burimeve të Policisë se :
"Nga kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit ka rezultuar se shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë brenda normave të lejuara, lëvizja është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar, sistemi i drejtimit të mjetit ka funksionuar normalisht. Po ashtu nga hetimet e kryera rezulton se drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë shumëvjeçare në drejtim, ndërkohë gjendja e rrugëve ishte e rregullt.
Nga raporti i mjekësisë ligjore nuk rezulton që drejtuesi i mjetit të ketë pasur probleme të menjëhershme të natyrës shëndetësore gjatë drejtimit të mjetit."
Ndërkohë nga pyetja e dëshmitarëve nuk rezulton të ketë pasur mjet tjetër në momentin e ndodhjes së aksidentit.
Grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë i kryesuar nga Prokurori i rrethit Pukë, ka konkluduar se shkak i këtij aksidenti ka qenë humbja e kontrollit gjatë drejtimit të mjetit nga ana e drejtuesit të tij, shtetasit Zef Mark Frroku (Gjergji). Nga ana e grupit hetimor vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje me pyetjen e dëshmitarëve, të dëmtuar nga ky aksident./m.sh//a.gj/