Topalli: Mjekët Dhe Pilotët, Punë Heroike
TIRANË, 18 Korrik/ ATSH- Suada Daci/.- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vizitoi sot pasdite të plagosurit e aksidentit tragjik në Fushë-Arrëz, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Gjatë një prononcimi për mediat, Topalli vlerësoi punën e mjekëve dhe të pilotëve për përkushtimin dhe gadishmërinë e tyre, duke u shprehur se, "ata kanë bëre një punë heroike".
Ajo tha se, "dje ka qenë një ditë e zezë. Të gjithë jemi të shokuar. Unë këtu pashë dy prej fëmijëve të familjes Mustafa, Mirsadin dhe Armandon. Mjekët thonë se ata kanë shpëtuar nga rreziku dhe ne i lutemi Zotit që edhe dy fëmijët e tjerë të kenë jetën e gjatë dhe po ashtu edhe të gjithë të shtruarit në këtë spital".
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shtoi se, "kjo ka qenë një tragjedi për familjet e tyre, por është edhe një dhimbje e madhe për të gjithë shqiptarët". /a.ke/