Aksidenti Ne Fushë Arrëz - Në Gjendje Të Rëndë Dy Fëmijë
- Tregon për ATSH-në, drejtori i Spitalit Ushtarak të Tiranës, Dr. Bedri Mihaj -
TIRANË, 19 Korrik /ATSH - Mira Shkurta/. - Nga 12 të plagosurit në aksidentin e Fushë Arrëzit, të cilët prej ditës së shtunë ndodhen në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje të rëndë prej jetën ndodhen dy fëmijë te vegjël.
Drejtori i këtij spitali, Dr. Bedri Mihaj, tha sot për ATSH-në se, "në gjendje kritike për jetën aktualisht është vajza e vogël, Anisa Mustafa, e cila në këtë aksident tragjik ka humbur të dy prindërit si dhe motrën e madhe, si dhe djali i vogel, Mirsad Mustafa, i cili ka pësuar dëmtime në mushkri, kokë e në bark".
Për Dr. Bedriun, sipas klasifikimit mjekësor, e thënë në gjuhën mjekësore "Glasgou", vajza e vogël vazhdon të jetë me pikë të ulëta, ndonëse mëngjesin e sotëm ajo dha shenja jete dhe në mënyrë spontane lëvizi gjymtyrët e poshtme dhe të sipërme. Kjo sipas tij, ka rritur klasifikimin e të sëmures nga 4 në 4.5 pikë.
Nisur nga gjendja e rënduar e të miturës, ekipi mjekësor i spitalit vendosi mosdërgimin vajzës në Senatoriumin e Tiranës, ndërsa transferoi nga ky spital aparatin respirues për terapinë intensive të Anises së vogël.
Ndërkohë, në gjendje jo të mirë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën është edhe motra më e madhe e Anises, Mirlinda Mustafa, e cila ka pësuar frakturë të dy kockave të gjymtyrëve të poshtme dhe sot i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Në gjendje të rëndë shëndetësore në këtë spital, është dhe Mirsadi, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale në mushkri.
Dr. Sami Koceku tregon se djali i vogël, i cili ka pësuar dëmtime të toraksit, barkut dhe kokës është në të njëjtën gjendje të ditëve më parë, nuk ka parametra të rëndimit të gjendjes shëndetësore dhe kërkon afatet e veta për t'u rikuperuar.
Me shpresën se gjendja e djalit të vogël do të përmirësohet, dr. Koçeku, zv.drejtor i këtij spitali, thotë se duhen disa ditë që ky fëmijë të kalojë traumën e pësuar.
Ndër të aksidentuarit e ngjarjes së Fushë- Arrëzit është dhe një grua rreth të dyzetave, e cila ka humbur vajzën në këtë aksident. Ishte e dhimbshme të mendohej se kjo grua, që dergjet në shtratin e këtij spitali, me shpresën për t'iu rikthyer jetës së mëparëshme, ende nuk e dinte se në këtë aksident tragjik ajo kishte humbur vajzën e saj.
Të plagosurit e tjerë, që janë sistemuar në pavionet e këtij spitali, aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po i nënshtrohen terapive intensive dhe ekzaminimeve të ekipit të specializuar mjekësor.
Dr. Koceku sqaron se një pjesë e tyre ka pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të gjymtyrëve, në gjoks, dëmtime në kokë dhe në fytyrë, në dy raste më të lehta, që aktualisht, po i nënshtrohen terapive intensive.
Aksidenti tragjik, ku humbën jetën 14 persona, ndërsa mbetën të plagosur 12 të tjerë, ndodhi në orën 17.00 të ditës së shtunë në fshatin Dom të komunës Gjegjan në rrethin e Pukës, në veriperëndim të vendit, kur një autobus me pasagjerë i linjës Fushë Arrëz- Durrës, me targë PU 13-30 A, doli nga rruga dhe u rrëzua nga një lartësi prej 30 - 40 metra, pranë lumit Fan.
Në ditën e aksidentit, në më pak se 15 minuta, në Spitalin Ushtarak ndodhej gjithë ekipi mjekësor, nga më i ulët, deri tek më i specializuari. Ky spital, me gjithë ndihmën e kërkuar në rastet e emergjencave të mëdha, kur tejkalohen kapacitetet, disponon të gjithë infrastrukturën e nevojshme.
Pavarësisht situatave të tilla, Dr. Mihaj thotë se ekipi mjekësor i specializuar i spitalit, ka mundur të përballojë të gjitha flukset si ditore, ashtu edhe rastet e emergjencave.
Në përballimin e kësaj situate, u angazhua personeli mjekësor prej 110 vetësh, duke përfshirë të gjitha shërbimet. Me gjithë angazhimin dhe disponimin e të afërmve të të aksidentuarve, Qendra e Gjakut në këtë spital kishte të gjithë kapacitetin e nevojshëm për rastet e nevojshme për dhënien e gjakut për të plagosurit.
Nga viti 1993, me vendim të KM misioni i këtij spitali është shtrirë edhe në fushën e Poli- Traumës në rang kombëtar. Në spital trajtohen të gjitha rastet e plagosjeve, aksidenteve me trauma në të gjithë trupin. Në spital trajtohen deri në 50 raste në ditë, nga 17 mijë raste në vit, ndërsa operohen 1700 urgjenca, trajtohen rreth 1000 raste në vit të poli-traumave si dhe operohen rreth 4500 raste të pacientëve të shtruar.
Jashtë misionit të këtij spitali, në fushën e Poli-traumës trajtohen rreth 18 mijë pacientë në vit, kryesisht të shërbimit ambulator në rang vendi. /a.ke/