Athinë, 19 korrik 2010, NOA – Është vrarë në Athinë këtë mëngjes para shtëpisë së tij nga njerëz të panjohur gazetari Sokrati Giolas, drejtor i radiostacionit "Thema 9,89 “. Policia nuk përjashton asnjë pistë, duke përfshirë edhe një aksion terrorist apo mafioz.
Sipas dëshmitarit të parë, një person i ka rënë citofonit të vendbanimit të viktimës në orët e para të mëngjesit dhe i ka kërkuar atij të zbresë, ku e prisnin disa persona që e kanë qëlluar me breshëri plumbash.
Sipas dëshmitarëve okularë, vrasësit kishin veshur uniforma, ndoshta të policisë lokale, dhe kanë qenë të paktën tre. Një prej tyre i ka rënë citofonit për të thirrur viktimën se makina e tij ishte duke u vjedhur. Pasi ka dalë në rrugë, Giolias u vra me shumë të shtëna pistolete të kalibrit 9- të. Vrasësit janë larguar me një makinë Honda Civic, e gjetur më pas e djegur jo shumë larg nga vendi i krimit dhe që rezultoi e vjedhur.
Në momentin e ngjarjes në shtëpinë e gazetarit ndodhej gruaja dhe djali i tij të cilët kanë mbetur të shokuar. Policia nuk përjashton asnjë lloj piste për këtë krim, por duket se më e favorizuar është pista terroriste apo mafioze.
Disa organizata anarko –rebele kanë kërcënuar në të kaluarën për të vrarë gazetarin, si bashkëpunëtorë “të pushtetit kapitalist".
a.e./NOA