Çmimi I Guvernatorit Për Diplomën Më Të Mirë
TIRANE, 19 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Banka e Shqipërisë shpalli sot për të katërtin vit radhazi se do të organizojë konkursin e hapur "Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë".
Në konkurim ftohen gjithë studentët shqiptarë të diplomuar këtë vit, brenda dhe jashtë vendit për punë shkencore për çështje, që lidhen me ekonominë monetare, stabilitetin financiar, integrimin ekonomik të Ballkanit në Evropë, veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë etj.
Burime nga BSH-ja, bëjnë të ditur se, përzgjedhja e temave fituese do të bëhet nga një komisioni i posaçëm shkencor, i ngritur pranë Bankës së Shqipërisë për këtë qëllim. Çmimet që do të jepen janë:
1. Çmimi i parë 250.000 lekë
2. Çmimi i dytë 200.000 lekë
3. Çmimi i tretë 150.000 lekë
Ky konkurs synon të forcojë interesin publik dhe kërkimor mbi problemet e çështjet ekonomike dhe rrjedhimisht do të forcojë bashkëpunimin mes Bankës së Shqipërisë dhe universiteteve. Gjithashtu, kjo lloj iniciative ndikon në rritjen e kapacitetit kërkues të Bankës së Shqipërisë dhe shërben si një mjet efikas rekrutimi i burimeve njerëzore në tregun e ngushtë të ekonomistëve./n.m/