Nuk është sekret po të citoj zyrtarët më të lartë të këtij Shërbimi dhe është mirë që opinioni publik dhe taksapaguesit në përgjithësi ta dinë se, sipas fjalëve të tyre: Reduktimi buxhetor do të ndikojë në dobësimin e masave për sigurinë kombëtare”; “me shkurtimet që bëhen nuk do të jemi në gjendje të bëjmë punën tonë...Efektiviteti i punës se SHISH bie. Humbet kontakti me objektin e punës.” Këto shprehje janë një apel i dëshpëruar i nëpunësve profesionistë e të devotshëm të shtetit që i kërkojnë qeverisë ndihmë. Po për çfarë? Veçse ndihmë për të bërë punën e tyre
Nga Ilir Gjoni
Deputet i PS
Problemet me SHISH janë probleme të vjetra dhe marrëdhënia e kësaj qeverie dhe drejtuesit të saj me Shërbimin Informativ i ngjan një marrëdhënie perverse, mazokiste që ka lënë vraga të rënda jo vetëm në funksionimin demokratik të këtij institucioni, por ka pasur pasoja të rënda edhe për qëndrueshmërinë dhe kredibilitetin demokratik të institucioneve shqiptare në periudha të ndryshme kohore gjatë këtyre 20 viteve.
Nuk dua të ndalem në të kaluarën, por do të përqendrohem në atë çka po ndodh sot. Jemi para një situate tragjike dhe alarmante ku po tentohet me të gjitha mjetet e mënyrat, duke përdorur edhe pushtetin legjislativ për ta vënë këtë institucion kaq të rëndësishëm të shtetit shqiptar nën diktatin e një klike të etur për pushtet, të pangopur me korrupsion e të përlyer me lloj-lloj aferash të dyshimta. Vënia nën kontroll, jo atë demokratik, e Shërbimit Informativ po tentohet në disa rrafshe.
Së pari, është ajo çka ndodh sot në Kuvend ku përmes një projektligji për ndryshimet në buxhet po tentohet që Shërbimit Informativ Shtetëror ti behet e pamundur përmbushja e detyrimeve kushtetuese.
Nuk është sekret po të citoj zyrtarët më të lartë të këtij Shërbimi dhe është mirë që opinioni publik dhe taksapaguesit në përgjithësi ta dinë se, sipas fjalëve të tyre: Reduktimi buxhetor do të ndikojë në dobësimin e masave për sigurinë kombëtare”; “me shkurtimet që bëhen nuk do të jemi në gjendje të bëjmë punën tonë...Efektiviteti i punës se SHISH bie. Humbet kontakti me objektin e punës.” Këto shprehje janë një apel i dëshpëruar i nëpunësve profesionistë e të devotshëm të shtetit që i kërkojnë qeverisë ndihmë. Po për çfarë? Veçse ndihmë për të bërë punën e tyre.
Ja disa nga vështirësitë financiare të Shërbimit me ligjin aktual jo me shkurtimet ekstra që ju sillni këtu:
- Në Ligjin aktual 10109 të 26/11/2009 këtij shërbimi i janë akorduar 1.298 miliardë lekë. Nevojat e këtij institucioni kanë qenë për 1.395 miliardë. Pra 95 milion më pak.
- Në shpenzimet për sigurimin dhe shpërblimin e burimeve të informacionit shërbimi sipas buxhetit aktual mbulon vetëm 30% të nevojave. Pra ka 16 milion lekë nga 31 milionë të realizuara në 2009, ndërkohë që nevoja është 38 milionë lekë;
- Në shpenzimet për udhëtime e dieta ka 57% më pak se realizimi faktik i 2009. Aktualisht ka 145 milionë lekë nga 36 milionë të realizuara në 2009, ndërkohë që nevoja është po për 36 milionë;
- Fondi i shpenzimeve operative është 232.591 mijë lekë, pra 13% më pak se 2009 etj.
Së dyti, u tentua dhe vijon të tentohet të ndryshojë ligji organik i funksionimit të shërbimit jo me synimin e mirëfunksionimit të tij, por me qëllimin e thjeshtë për ta vënë atë në kontroll direkt të kryeministrit në një kohë kur partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësim se ndryshimet e parashikuara do të cënojnë parimin e profesionalizmit, pavarësisë dhe paanësisë politike. Në fjalët e partnerëve ndërkombëtare projektligji në formën e paraqitur po “dëmton imazhin e vendit” tonë.
Si vend anëtar i ri i NATO Shqipëria ka detyrime që dalin jashtë kufijve dhe sovranitetit nacional. Në fjalët e partnerëve ky projektligj “ po e çon Shqipërinë në drejtim të gabuar”. Ne duhet të mbajmë mirë parasysh se ky shqetësim i opozitës nuk është thjesht një kapriço dhe nuk duhet parë si një debat politik mes nesh si ato që ne bëjmë rëndom. Si anëtar i NATO-s çdo veprim në kundërshtim me parimet që drejtojnë këtë organizëm ka implikacione ndërkombëtare.
Së treti dhe paralelisht është hedhur për diskutim një ligj mbi kontrollin parlamentar ndaj shërbimeve inteligjente, gjë që në një situate normale do të ishte një veprim i natyrshëm, por kur hidhet në një moment që Ekzekutivi qortohet rëndë nga partnerët ndërkombëtarë dhe opinioni vendas për uzurpim të institucionit, kjo nismë e ndërmarrë në këtë kohë ngre pikëpyetje dhe dyshime të mëdha.
Po cilat janë arsyet e kësaj furie kryeministrore ndaj Shërbimit Informativ. Analiza logjike të çon vetëm në një drejtim: - Frika se mos ky institucion, nga të paktët jashtë kontrollit total të Qeverisë, të mund të thotë të vërtetat ashtu siç janë sa u përket realiteteve shqiptare. SHISH i shkurtohen fondet në një kohë kur problemi i informacionit të klasifikuar në përgjithësi dhe atij të NATO në veçanti është bërë një nga pikat me delikate të anëtarësisë sonë në këtë organizatë për të mos folur për kontratat absurde që qeveria dhe institucionet e sigurisë kanë bërë me një prej kompanive celulare ku informacioni shtetëror rrjedh lirshëm në veshët e atyre që nuk duhet ta dëgjojnë. Pse kryeministri heziton ti japë fonde këtij institucioni që nuk e kalojnë shifrën e 50 mijë eurove për të siguruar pajisje të cilat do te garantonin sigurinë e informacionit që qarkullon mes niveleve të larta qeveritare?
SHISH i shkurtohen fondet në një kohë kur GJND do të vendosë për statusin e Kosovës. A nuk ju bën përshtypje rritja e intensitetit të veprimtarisë diplomatike shtetërore të të gjitha instancave të shtetit serb kundër Kosovës? A nuk ju kanë bërë përshtypje deklaratat aspak optimiste që vijnë nga kancelari të ndryshme të botës sa i përket pritshmërisë së vendimit të kësaj gjykate. Jo më larg se tre ditë më parë kryeministri Belg vendi i të cilit kryeson BE këtë 6 mujor deklaroi se vendimi i GJND duhet pritur me qetësi?!
Këto veprime ndaj SHISH bëhen në një kohë kur objekti i tyre i punës është shumëfishuar falë edhe faktit që Serbia megjithë gjenerozitetin e qeverisë sonë e cila nivelin e saj të përfaqësimit e ka në rang ambasadorësh ajo deri një muaj më parë e mbante në atë të ngarkuarit me punë, megjithë deklarimin e lidhjeve të saj strategjike në sektorin energjitik, duke e çuar gradualisht vendin drejt varësisë totale energjitike nga Serbia duke mos reshtur njëkohësisht intensifikimin e propagandës dhe veprimtarisë se vet antishqiptare si jashtë ashtu dhe brenda vendit. Ç’është kjo dashuri pansllave, ndërkohë që vokacioni i shprehur qartë i popullit tonë është ai Perëndimor?
SHISH i shkurtohen fondet dhe i bëhet e pamundur përmbushja e detyrave në një kohë kur shërbimet e vendeve jo anëtare të NATO kane rritur intensitetin e veprimtarisë së tyre në territorin e vendit tonë dhe kur “interesat e këtyre vendeve me synime strategjike kanë prioritet parësor përdorimin e vendit tone si tranzit drejt organizmave të rëndësishme perëndimore siç janë NATO e BE”. Në një kohë kur qarqet antishqiptare kanë përpunuar dhe kanë hedhur në treg tezën e “Shqipërisë multietnike” me synim krijimin e një situate që do te ishte potencialisht në dëm të kufijve etnike territoriale shqiptare. SHISH i shkurtohen fondet në një kohë kur ky shërbim i bie këmbanave të alarmit se “tendenca e zhvillimit të formave të krimit të organizuar është në rritje” dhe kur vendi “po kullon gjak nga korrupsioni” sipas fjalëve të një diplomati të lartë shprehur sot në media. Kur “narkotrafikantët kanë krijuar marrëdhënie direkte me tregjet e heroinës në Iran”; Kur ata “rezidentë ne Amerikën Latine tentojnë të përfshihen në fusha të rëndësishme investimesh në Shqipëri” dhe kur “kultivimi i cannabis sativas ka prekur gjithë territorin shqiptar”; Kur “është rritur intensiteti i marrëdhënieve kriminale mes narkotrafikantëve të etnisë shqiptare”; Kur “grupe të caktuar kriminale po përpiqen të përfshihen edhe në prodhimin e heroinës brenda territorit shqiptar”; Kur “në Shqipëri është riaktivizuar tregtimi dhe trafikimi i armatimit” dhe kur është ”rritur kërkesa e grupeve shqiptare të krimit të organizuar për tu pajisur me armatim te tipit snaiper, mina me telekomande, eksplozive” etj.
Kur “faktor favorizues i qarkullimit dhe trafikimit të armatimit... vijon të mbetet mungesa e kontrollit të kufijve dhe niveli në rritje i korrupsionit në radhët e policisë;”
Kur “fenomeni i pastrimit të parave po sofistikohet dhe kur grupet kriminale të specializuara, po punojnë në këtë fushë përmes operacioneve të ndërlikuara bankare”;
Në një kohë kur ”Shqipëria është vënë në fokusin e investimeve të dyshimta” nga vende origjine me interesa të kundërta me ato të vendit tonë. E pra, gjithë këto pengesa që po i krijohen Shërbimit Informativ për të përmbushur detyrat shumë të rëndësishme me interes primar për sigurinë kombëtare ngrenë pikëpyetje të mëdha për këtë qeveri e cila nuk është hera e pare që tenton ta uzurpoje këtë shërbim në interes të vet përmes veprimeve pasojat e të cilave i vuan mbarë vendi. Edhe në 2005 me ardhjen në pushtet ju tentuat ta vinit shërbimin nën hyqmin e Ministrisë së Brendshme për ta pasur nën kontroll. Edhe tentativat dhe metodat që përdorni sot këtë synojnë. Mos harroni se në 1997 shërbimi inteligjent u shpërbë dhe u kthye në instrument represiv siç u shpërbënë strukturat e tjera të sigurisë duke e bërë zërin e vendit tonë inekzistent sa i përket zhvillimeve në rajon e veçanërisht Kosovë ashtu siç po ndodh dhe sot. Katrahurën e 1997 ju e dini mirë se e pasoi genocidi serb në 1998-1999.
Shkurtimet e parashikuara në buxhet, nëse miratohen do të jenë thikë pas shpine për këtë institucion të rëndësishëm të shtetit dhe një dëm i madh që i bëhet shtetit shqiptare dhe qytetarëve shqiptare.