Durrës, 19 korrik, NOA – Kur aksidenti më i rëndë rrugor u kthye në një tragjedi, që mori jetën e 14 vetëve, të shtunën, me rënien në greminë të autobusit, që po rrugëtonte nga Durrësi përdrejt Fushë Arrëzit, është tashmë kërkesë e pashmangshme që duhet të alarmojë organet përgjegjëse për përforcimin e kontrolleve edhe sa i përket dokumenteve të qarkullimit dhe normave të qarkullimit rrugor.
Aq më tepër kur jemi në pikun e sezonit turistik dhe kur emigrantët e shumtë janë kthyer në atdhe dhe rrugët përdrejt brigjeve detare janë në pikun e tyre të qarkullimit.
Në këtë kontekst, policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë të shtetasit 55 vjeçar nga Tirana, Sh.G., pasi në 17 korrik, rreth orës 07.00, të mëngjesit në segmentin rrugor Plepa-Përroi i Agait, mu tek Shkëmbi i Kavajës, në rrugën dytësore, duke drejtuar automjetin e tij tip Volsvagen me targa TR-6777-F, është përplasur me mjetin Golf me targa DR-9878-E të drejtuar nga 34 vjeçari E.E., banues në lagjen 13 në Durrës.
Policia e Durrësit bën të ditur se nga përplasja është dëmtuar 54 vjeçarja B.G., e cila udhëtonte si pasagjere tek mjeti me targa TR-6777-F, drejtuesi i të cilës shkaktoi aksidentin në fjalë.
Sipas policisë, e dëmtuara pasi mori mjekim në Spitalin e Durrësit u largua për në banesë pa probleme për shëndetin e saj.
Sipas policisë drejtuesi i automjetit me targa TR-6777-F po ndiqet penalisht për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor.
mit/NOA