Elbasan: Arrestohet 21-Vjecari, Akuzohet Per Vrasje
ELBASAN, 19 Korrik/ATSH-Miranda Sadiku /.- Pas operacionit policor te koduar "Premtimi" eshte bere i mundur arrestimi i shtetasit, Axhildo Kashari, 21 vjeç i cili akuzohet për veprën penale të "Vrasjes".
Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit, Saimir Muça, mbas këtij operacioni ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka deklaruar se "në lagjen " Partizani" u bë i mundur arrestimi i 21 vjeçarit Axhildo Kashari, i cili akuzohet për vrasjen e shtetasit Sajmir Binjaku. Kashari qëndronte i fshehur në një banesë dhe arrestimi i tij u bë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative. Në ndihmë të Policisë së Elbasanit për arrestimin e 21 vjeçarit janë angazhuar edhe Forcat Speciale të Repartit 712 në Tiranë", tha ai.
21 vjeçari Axhildo Kashari në datën 14 qershor të këtij viti, në lagjen " Shënkoll", në lokalin në pronësi të shtetasit Klevis Daka, qëlloi me armë zjarri shtetasin Saimir Binjaku. Menjëherë Policia nisi hetimet për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje, si edhe vuri në dispozicion të komunitetit 1 milion lekë të reja, për ata persona që dinin rreth identitetit të autorit. Vetëm ditën e sotme është bërë i mundur arrestimi i 21 vjeçarit, ndërsa Policia deklaron se po punon për kapjen e një tjetër shtetasi, bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Sajmir Binjaku. /a.ke/