Elbasan: Objektet E Ish Nb-Ve Tek Fermerët Me Teknologji Bashkohore
ELBASAN, 19 Korrik/ATSH-Miranda Sadiku /.- Objektet e rreth 20 ish-ndërrmarjeve bujqësore para viteve 90' në qarkun e Elbasanit, në pjesën më të madhe pasi janë privatizuar, janë kthyer në prona të fermerëve, që i shfrytëzojnë si fabrika vere, magazina për pesticide, farëra, fidanë të ndryshëm, etj.
Shefi i Shërbimit Këshillimor në qarkun e Elbasanit, Neshat Sadiku thotë për ATSH se " ndryshe nga vitet 90' këto objekte të shndërruara në destinacion, kanë ndikuar në përmirësimin e teknologjive, pasi fermerët tashmë i kanë në pronësi të tyre dhe synojnë rritje cilësore të prodhimit".
Në ish-ndërmarrjen Bujqësore në Librazhd objektet e saj janë kthyer në fabrikë moderne vere, ndërsa në zona të tjera të qarkut, si në Cërrik, Gramsh, etj, ato po përdoren si magazina për të mbajtur prodhimet e tyre të stinës.
"Të gjitha ish ndërrmarjet bujqësore janë vënë në shërbim të fermerëve", thotë Sadiku.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me tokat bujqësore, të cilat i janë ndarë ish-punonjësve të kooperativave. Pas viteve 90' mjetet mekanike të ish SMT-së (stacionit të makinaverive të traktorëve ) në Peqin, ku traktoristët blenë mjetet e punës. "Vetë traktoristët kanë blerë mjetet e punës, si autokombanjat, traktorët, që vazhdojnë të egzistojnë edhe sot, pasi dinë t'i mirëmbajnë", thotë Sadiku.
Nisur nga përmirësimi i teknologjisë, vitet e fundit kur puna është shtuar në kuadër të projektit për subvencionimin e fermerëve, makineritë janë shtuar së shumti.
" Vetë fermerët duke parë se puna në bujqësi po vinte në rritje, kanë futur makineri me teknologjitë moderne të kohës, pjesën më të madhe të të cilave, i kanë blerë vetë. Por ka edhe fermerë, që aplikuan në Drejtorinë e Bujqësisë nëpërmjet subvencioneve për t'i blerë këto mjete me kredi përmes grandit Japonez" , shpjegon Sadiku.
Së fundi po vihet re dhe tendenca për punimin e tokave që ishin lënë djerrë. "Këtë vit kërkesat e fermerëve për të marrë me qera për 99 vjet toka të lëna djerrë në pronësi të shtetit janë të shumtë. Tashmë komunat përkatëse po hartojnë dokumentacionet me qëllim që këto toka të vihen në shërbim", përfundon Sadiku.
Në qarkun e Elbasanit ushtrojnë aktivitet rreth 45300 fermerë, që operojnë në aktivitete të ndryshme si, agrotregti, tregtim të plehrave kimike, pesticideve, fara e fidanë, si dhe shumë fermerë prodhues potencialë që nxjerrin në treg prodhimet e tyre bujqësore e blegtorale./n.m/