English

Elbasan: Programi I Qeverise Shqiptare Per Investitoret E Huaj Po Ecen Ne Rrugen E Duhur

ELBASAN, 19 Korrik/ATSH-Miranda Sadiku /.- Investimet e kryera gjatë tre viteve të fundit në uzinën e ferrokromit Albanian Chrome "ACR" në Elbasan, janë inspektuar ditën e sotme nga Presidentja e Kompanisë Austriake " Deko Metal", Rothraut Skatche Depisch, ambasadori Austriak i akredituar në Shqipëri, Florian Rauning, si edhe zv/ ministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja. Mbas një vizite në ambjentet e Uzinës së Ferrokromit, që në vitin 2007 është marrë në konçension nga firma Austriake " Deko Metal", presidentja Rothraut Skatche Depisch, deklaroi për mediat se "kemi nisur investimin në Shqipëri në vitin 2007 dhe sot ACR është një prodhues ndërkombëtar i ferrokromit dhe e eksporton atë në Europë e Amerikë". Duke shprehur kënaqësinë për mënyrën e menaxhimit nga ana e drejtuesve shqiptarë si edhe të punonjësve të uzinës, Presidentja e ACR, Rothraut Skatche Depisch, tha se "Elbasani mund të shërbejë si model për investitorët e huaj që duan të investojnë në Shqipëri. Në bashkëpunim me qeverinë shqiptare mund të investojnë në vepra të ndryshme dhe kaq të suksesshme si ACR". Aktualisht, në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan janë në funksionim total dy furra, një me cilësi standarte ferrokromi me karbon të lartë dhe një tjetër speciale me ferrokrom me karbon të ulët. Sipas presidentes, brenda mujit gusht do të vihet në përdorim edhe furra e tretë e cila do të ketë një linjë të re e do të prodhojë me kapacitet të plotë rreth 130 ton karbon në ditë. "Kjo na bën një nga investitorët më të rëndësishëm europianë", tha znj. Rothraut Skatche Depisch. Ndërsa Ambasadori Austriak, Florian Rauning, tha se "vij pas nje vizite të zhvilluar në minierën e Burrelit me investitor firmën austriake "Deko Metal". Uzina e ferrokromit " ACR" në Elbasan eshte një veprimtari e rëndësishme nga investitorët austriakë në Shqipëri". Firma austriake punëson rreth 700 minatorë në Bulqizë dhe 300 në Elbasan e për këtë arsye ambasadori austriak e cilësoi firmën "Deko Metal" si një punëdhënëse mjaft të rëndësishme për rajonin e Bulqizës dhe atë të Elbasanit. Sipas tij, "një mbështetje të madhe kjo firmë ka gjetur edhe nga qeveria shqiptare, pasi pa mbështetjen e saj nuk mund të investohej". Zv/ministri i Punëve të Jashtme, Selim Belortaja, investimet prej 11.5 milion euro te kryera nga firma austriake "Deko Metal" vetëm tre vitet e fundit, i ka cilësuar si më seriozet dhe më premtueset të bëra në Shqipëri. "Është fjala për një investim të konsiderueshëm, i cili do të shtrihet në vitet e ardhshme në shumën prej 20 milion euro", tha ai. Sipas tij, "ky investim do të thotë punësim, të ardhura, eksport, integrim real më të mirë të vendit në flukset ekonomike ndërkombëtare botërore. Programi i qeverisë për investimet e huaja po ecën në linjën e duhur", shtoi Belortaja. /a.ke/
KOMENTE