Greqi - Një Gazetar Vritet Në Athinë, Ndoshta Akt Terrorist
ATHINË, 19 korrik /ATSH-ANSA/ - Gazetari grek Socrates Giolas, drejtori i radios "Thema9.89", është vrarë mëngjesin e sotëm para derës së shtëpisë nga disa persona të panjohur. Policia nuk përjashton asnjë pistë, përfshi një akt terrorist me sfond mafioz.
Sipas dëshmive të para, një person thirri në apartamentin e tij dhe e ftoi të zbriste poshtë, ku e prisnin shumë persona të tjerë, të cilët më pas e ekzekutuan me armë zjarri.
Sipas dëshmitarëve okulare, vrasësit ishin veshur me uniforma policie, ndoshta ato të policisë komunale, dhe ishin të paktën tre. Personi i cili komunikoi në fillim me gazetarin, i tha atij se po i vidhnin makinën. Pasi Giolas doli në rrugë, u godit me disa plumba pistolete të kalibrit 9-të.
Vrasësit u larguan me një makinë model "Honda Civic", që më pas u gjet e djegur jo shumë larg vendngjarjes, njoftoi agjencia greke e lajmeve ANA. Makina e përdorur nga vrasësit rezulton e vjedhur.
Në momentin e ngjarjes, në shtëpi ndodheshin bashkëshortja dhe djali i gazetarit.
Disa organizata greke të armatosura anarkiste dhe rebele, i kanë kërcënuar shpesh herë me vdekje gazetarët, duke i cilësuar "bashkëpunëtorë të pushtetit kapitalist"..
/e.v/