English

Indi, përplasje trenash, numërohen shumë viktima (VIDEO)

Nju Delhi, 20 Korrik 2010 NOA/ Rid Bulku - Bilanci tragjik i një aksidenti në Indinë lindore, ka qenë me të paktën 56 të vdekur dhe 125 të plagosur dhe kjo si rrjedhojë e përplasjes së dy trenave.

Ministri, përgjegjës për hekurudhat, Mamata Banerjee, ka hedhur poshtë mundësinë që kjo fatkeqësi të ishte për shkak sabotimit, dhe kjo dy muaj pas rrëzimit të një treni nga rebelët maoisti, që shkaktoi 145 viktima.

Fatkeqësia ka ndodhur në orën 2:00 me atë lokale. Uttarbanga Express dhe Vananchal Express janë përplasur, rreth 200 kilometra në veri të Kalkutës.

Dy vagonë të bagazheve të pasagjerëve janë shkatërruar plotësisht. Përplasja ishte aq e dhunshme saqë tavani i një vagoni ka fluturuar menjëherë duke u përplasur me një urë. Ekipet e shpëtimit gjetën 56 trupa të vdekur dhe 125 të tjerë të plagosur.

Në mesin e viktimave janë edhe dy shoferët e Uttarbanga Express. Bhupinder Singh, kryetari i policisë në West Bengal, tha se numri i të vdekurve mund të rritet.

Sipas një banori, ekipet e shpëtimit arritën rreth tre orë pas aksidentit. Në këtë kohë ishin të shumtë dhe njerëzit të cilët u erdhën në ndihmë personave të plagosur, për t’i ndihmuar që të dilnin nga rrënojat.

Në krahun tjetër një komisionar i policisë deklaroi se ndihma e shpejtë erdhi në moment dhe nuk pati asnjë vonesë që nga momenti i përplasjes.

Ky është incidenti i dytë serioz në shtetin e West Bengal në dy muajt e fundit. Më 28 maj, një pasagjer treni doli nga shinat dhe u godit më pas nga një tren mallrash.

r.b/NOA

Video: {youtube}hPxHuRo0BJ8{/youtube}

KOMENTE