Tiranë, 19 korrik, NOA – Përmes një deklarate për shtyp, Konfindustria shprehu sot shqetësimin për uljen e theksuar të shpenzimeve buxhetore në vitin fiskal 2010, si pasojë e ndryshimeve të ndjeshme të politikave buxhetore.
“Konfindustria vlerëson, se vendim-marrja politike duhet të tregohet më e guximshme në politikat e saj buxhetore për të mos prekur investimet kapitale të domosdoshme për arritjen e zhvillimit ekonomik të vendit”, citojnë drejtuesit e saj.
Ndërsa shtojnë se ndodhemi në kushtet kur të gjitha shenjat e ardhura nga ekonomia europiane dhe botërore tregojnë për fillimin e tejkalimit të krizës financiare, ne nisim masat shtrënguese.
“Konfindustria mendon se janë të gjitha mundësitë, që pa ulur financimin e investimeve kapitale të parashikuara në buxhetin e shtetit, të arrihet të kapërcehen efektet e krizës”, argumenton më tej ky organizëm.
Sipas tij, burime financiare të rëndësishme të rritjes ekonomike të vendit mund dhe duhet të sigurohen nga rregullimi i funksionimit të tregjeve kryesore të vendit si telefonia e lëvizshme dhe bazike, tregu i karburanteve etj, të cilat realizohen në kushtet e pothuaj oligopolit, apo tërheqja e drejtpërdrejtë e kursimeve të qytetarëve dhe subjekteve për bonot e thesarit etj.
“Ekonomia reale e vendit ndodhet në kushtet kur pasojat e krizës financiare botërore për veçoritë e ekonomisë reale shqiptare vazhdojnë të jenë të prekshme, kur ndihet dukshëm nevoja për likuiditet në ekonominë dhe veçanërisht për në industritë shqiptare të prodhimit të mallrave dhe shërbimeve apo kur ndodhemi në kushtet e shtrëngimit të masës dhe termave të kreditimit nga sistemi bankar ulja e shpenzimeve buxhetore, ndikimi i uljes së shpenzimeve buxhetore pritet të jetë i dukshëm në pjesën e mbetur të vitit duke rritur vështirësitë financiare deri në falimentim të një pjese të rëndësishme të industrive të vendit”, citon më tej Konfindustria.
Në fund, ajo përfundon me argumentin se “është plotësisht e mundur, që një sistem më efikas i administrimit fiskal të mbaj në vend një sasi mjaft të madhe të burimeve valutore të siguruara kryesisht në tregje monopol të ekonomisë dhe që padrejtësisht dalin jashtë vendit”.
n.e/NOA