English

Kosovë - Parteshi Zgjedh Kryetarin E Ri Te Komunës

PRISHTINË, 19 Korrik /ATSH-B.Jashari/ - Parteshi, komuna e katërt e re me shumicë serbe në Kosovë, e Paketës Ahtisaari, zgjodhi për kryetar komune në votimet e djeshme në balotazh, Nenad Cvetkoviçin, nga Iniciativa Qytetare Zaviçaj, me 57.7 % të votave, ndërsa kandidati tjetër, Todor Mirkovçi, nga Lista e Bashkuar Serbe (JSL), mori 42.3 për qind të votave. Rezultati paraprak u bë i ditur mbrëmë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës, sipas të cilit në votime morën pjesë 54.73% e mbi 3.500 qytetarëve me të drejtë vote. Vlerësohet se kjo është një përqindje e lartë e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe vazhdimësi e shembullit që dha Parteshi për gjithë Kosovën që në raundin e parë, më 20 qershor, kur pjesëmarrja në zgjedhje ishte 65 për qind. Sipas asaj që tha të premtën në një debat në Çagllavicë, lokalitet i banuar me serbë afër Prishtinës, zëvendëskryeministri kosovar, Hajredin Kuçi, pjesëmarrja e serbëve të Parteshit në votimet në raundin e parë ishte "më shumë se mesatarja e shqiptarëve në Kosovë, apo trefish më shumë se mesatarja e serbëve që kanë marrë pjesë në zgjedhjet ilagale që i ka organizuar Serbia". Në tri komuna të reja, Graçanicë, Kllokot dhe Ranillug, ku zgjedhjet janë mbajtur më 15 nëntor të vitit të kaluar, me kohë është bërë konstituimi i kuvendeve dhe qeverive lokale, ndërsa komuna e katër, Parteshi, do pasohet me të pestën - Mitrovicën e Veriut, ku është emëruar ekipi përgatitor komunal dhe zgjedhjet pritet të zhvillohen në kuadër të Strategjisë Gjithpërfshirëse për Integrimin e Veriut. Në Kosovë janë edhe pesë komuna të tjera me shumicë serbe: Leposaviçi, Zveçani, Zubin-Potoku e Shërpca, të cilat ekzistonin, si dhe Novobërda, e cila u bë e tillë me zgjerimin e saj, sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës - Paketës Ahtisaari. Me Mitrovicën e Veriut, nga gjithsej 38 komunat e Kosovës, 10 do të jenë me shumicë serbe, ndërsa, sipas Entit të Statistikës, komuniteti serb në Kosovë përbën 5.3 % të popullsisë. Më shumë se dyfishimi i numrit të komunave me shumicë serbe duke krijuar pesë komuna të reja e duke e zgjeruar një komunë eksistuese është një nga treguesit për angazhimet kosovare në realizimin e të drejtave të komunitetit serb në mënyrën më afirmative, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës. /gj.m/
KOMENTE