Kosovë - Presidenti Sejdiu Përshëndet Zgjedhjet Në Partesh
PRISHTINË, 19 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu përshëndeti mbylljen e suksesshme të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Parteshit, të zhvilluar dje.
Ai deklaroi sot se "përmbyllja e suksesshme e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së re të Parteshit, në të cilën pjesa dërmuese e qytetarëve janë të nacionalitetit serb, dëshmon se qytetarët e kësaj komune janë të përkushtuar që t'i shfrytëzojnë mundësitë që u ofron Kushtetuta e vendit për të ndikuar drejtpërdrejt në qeverisjen lokale dhe në përmirësimin e mirëqenies së tyre jetësore".
"Ndërsa, pjesëmarrja e lartë e qytetarëve edhe në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve është përgjigja më e mirë ndaj të gjithë atyre që e kundërshtojnë integrimin dhe perspektivën e jetës së përbashkët të të gjithë qytetarëve të vendit", theksoi Sejdiu.
"Institucionet e Republikës së Kosovës"- tha ai - "janë të vendosura që të punojnë edhe më tej në realizimin e angazhimeve që kanë marrë para qytetarëve kosovarë dhe para bashkësisë ndërkombëtare për ndërtimin e një të ardhme për qytetarët e vendit pa dallim etnie e besimi".
"Kryetarit të porsazgjedhur, Nenad Cvetkoviç, i urojmë sukses në detyrën e re dhe realizim të projektit të tij për Parteshin, me të cilën mori besimin e shumicës së qytetarëve të kësaj komune. Po ashtu, përshëndesim edhe kundërkandidatin e tij, z. Todor Mirkoviç për garën korrekte, dhe punën e institucioneve të vendit, KQZ-në, qytetarët, subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje si dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat e ndihmuan këtë proces", deklaroi Presidenti Sejdiu. /gj.m/f.n/