English

Kosove: Thaçi Nis Vizitën Në Shba, Takim Me Zv/Presidentin E Bankes Botërore, Le Houerou

PRISHTINË, 19 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Me perkrahjen nga Banka Boterore, kryeministri Hashim Thaçi ka filluar sot vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me takimin e parë me zëvendëspresidentin e saj për Evropën dhe Azinë Qëndrore, Philippe Le Houerou, ku mori sigurinë për përkrahje të vazhdueshme për Kosovën. Ditën e mërkurë Thaçi do të pritet nga zëvendëspresidenti i SHBA, Joseph Biden në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Banka Botërore do të vazhdojë të përkrahë në mënyrë të vazhdueshme Kosovën, tha zëvendëspresidenti i saj për Evropën dhe Azinë Qëndrore, Philippe Le Houerou në takim me kryeministrin Thaçi. Zyra e kryeministrit kosovar bën të ditur se në takim u diskutua për proceset e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës dhe rolin e mbështetjen e Bankës Botërore në zhvillimin e kapaciteteve ekonomike, që do të ndikojnë në forcimin e ekonomisë së Kosovës. Me këtë rast, kryeministri Thaçi theksoi hapat që janë ndërmarrë nga qeveria, të cilat lidhen me koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, hidrocentralit të Zhurit dhe projektin e madh të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdarë. Kryeministri Thaçi në takim me Le Houerou vlerësoi mbështetjen që Banka Botërore i ka dhënë dhe po i jep Kosovës në kuadër të procesit shumë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, parakusht i domodoshëm për integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike. Nga ana e tij, Philippe Le Houerou shprehu konsideratat e larta për kryeministrin Hashim Thaçi, për punën dhe përkushtimin që ka treguar Qeveria e Kosovës në avancimin e proceseve zhvillimore aty. Le Houerou theksoi se Banka Botërore do të vazhdojë të përkrahë në mënyrë të vazhdueshme Kosovën në kuadër të këtyre proceseve. /a.ke/
KOMENTE