English

Kryebashkiaku Rama inspekton punimet për ndërtimin e 400 banesave sociale në Shkozë

Tiranë, 19 korrik, NOA – Me lajtmotiv strehimin social, Bashkia e Tiranës ka vënë në jetë projektin për ndërtimin e 400 banesave sociale, në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, ku rreth 400 familjeve të pastreha të Tiranës, do t’u sigurohet një strehë e përshtatshme, kushte normale të jetesës dhe shërbime e mundësi punësimi.

Projekti i inspektuar nga kryebashkiaku Edi Rama përfshin një çerdhe, kopësht, shkollë, hapësira kreative për fëmijët e deri në një qendër sociale, që do të vihen në dispozicion të banorëve në këtë kompleks të integruar, duke krijuar kështu të gjitha lehtësirat e mundshme dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e jetës komunitare.

Kryebashkiaku Rama pasi u njoh nga afër me punimet në këtë zonë, theksoi se është pikërisht ky projekt i standardeve evropiane, që synon të përbëjë vizionin e ri të strehimit social.

Kryebashkiaku Rama, theksoi për mediat se “Ne do të bëjmë ç’është e mundur, që jo vetëm ta përfundojmë këtë risi shumë të pritur prej kohësh në kryeqytet, në dispozicion të të pastrehëve, por edhe të ndërtojmë politika komunitare dhe aktivitete zinxhir, të cilat do të bëjnë të mundur që të gjitha grupmoshat që do të përfshihen në këtë bllok, në një lagje të re banimi këtu, të mund të jetojnë në kushte optimale dhe njëkohësisht ta kthejmë këtë, në një model të bashkëjetesës qytetare, duke filluar që nga jetësimi i ligjit për bashkëpronësinë dhe administrimi i përbashkët i hapësirave të banimit, në të gjithë territorin që i përket komunitetit, duke filluar nga kopshtet, parqet, çerdhet e shkollat, deri tek hapësirat e shkallëve të përbashkëta”.

Puna për ndërtimin e banesave të para sociale, në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë nisi në fillim të 2009-ës.

Fondet për financimin e këtij projekti janë 12 milionë euro, nga të cilat 6.347 milionë euro janë financim me kredinë e marrë nga Banka e Këshillit të Europës, shumë e cila do të shlyhet nga Bashkia e Tiranës dhe që do të përdoret për ndërtimin 400 apartamenteve me qëllim social.

Projekti, në fazën e parë parashikon ndërtimin e 3 blloqeve të banimit.

Aktualisht ky projekt është në fazën përfundimtare në dy nga këto blloqe dhe po punohet për të përfunduar bllokun e tretë në fillim të vitit të ardhshëm.

Në bashkëpunim me PNUD, Bashkia e Kryeqytetit mundësoi ngritjen brenda këtij kompleksi të një qëndre sociale për fëmijët në vështirësi dhe kryesisht për fëmijët rom.

mit/NOA

KOMENTE