English

Kukës - Autostrada Rrit Shkëmbimet Tregtare Me Kosovën

KUKES,19 korrik/ATSH-R.Hoxha/.-Përveç fluksit në rritje të udhëtarëve gjatë këtij 6 mujori është rritur ndjeshëm edhe fluksi i lëvizjes së mallrave në të dy anët e kufirit. Burime zyrtare të doganës së Morinit pohojnë se, për 6 mujorin e parë të këtij viti nga taksat doganore janë derdhur në buxhetin e shtetit 2,8 milion euro. Hapja e tunelit të Kalimashit ka rritur eksportin e mallrave nga Shqipëria drejt Kosovës. Kështu aktualisht zhdoganohen në ditë 90 mjete, nga 30 mjete që zhdoganoheshin çdo ditë para hapjes së tunelit. Kjo ka bërë që vetëm gjatë muajit qershor nga kjo doganë të arketohen në buxhetin e shtetit 450 milion lekë kur në qershorin e vitit 2006 ishin arkëtuar vetëm 30 milion lekë. Aktualisht vendin kryesor të mallrave që hyjnë në Kosovë nga Shqipëria e zënë produktet bujqësore me 20 kamionë në ditë dhe lëndët e ndërtimit ku porositësi më i madh është "Bektel Enka" që po ndërton autostradën Vërmicë - Merdare. Ndërkohë, këto ditë të korrikut vazhdon një fluks në rritje i lëvizjes së udhëtarëve në të dy anët e kufirit kufirit Shqipëri -Kosovë. Kështu çdo ditë lëvizin në doganën e Morinit 8500 - 9000 mjete, ndërsa në fundjavë, numri i tyre shkon deri në 11 mijë mjete në 24 orë. /gj.m/
KOMENTE