Kuvend-Imami:Rishikimi I Buxhetit, Nuk Prek Programet Afatgjata Të Përdorimit Të Tij
TIRANË, 19 Korrik/ATSH/.- Ministri i Mbrotjes, Arben Imami theksoi sot se, "propozimet për ndryshimet e buxhetit të vitit 2010 nuk prekin programet afatgjata të përdorimit të tij".
Gjatë seancës parlamentare ku po diskutohen ndryshimet në buxhet, ministri Imami tha se, "rishikimi i buxhetit nuk përbën pengesë në realizimin e objektivave të qeverisë, por dhe angazhimet në fushën e mbrotjes".
Duke u ndalur te buxheti i këtij dikasteri, Imami tha se, "qeveria ka respektuar angazhimet e marra nga vendi në kuadër të marrëveshjes së anëtarësimit në NATO, dhe rishikimi i dokumentit financiar prek kryesisht shpenzimet korente, si mallra shërbime, etj".
Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, siguroi se, "financimi për programin e demontimit të municioneve të tepërta nuk është prekur, madje me të njëjtat shpenzime ne duam të trefishojmë sasinë e municionit të demontuar".
"Nuk ka ulje të financimeve as për angazhimin në kuadër të NATO-s, BE-së, OKB-së dhe në misionet paqëruajtëse ndërkombëtare", tha Imami, ndërsa shtoi se, "gjatë këtij viti është realizuar rritja më e madhe e pagesave për ushtarakët që marrin pjesë në këto misione"./s.d/a.s/