Kuvend-Nishani: Buxheti, Projekte Të Rëndësishme Në Sistemin E Drejtësisë
TIRANË, 19 Korrik/ATSH/.- Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani tha sot në Kuvend se ndryshimet në ligjin e buxhetit 2010 shprehin seriozitetin dhe angazhimet e qeverisë në projekte të rëndësishme që lidhen me performancën e sistemit të drejtësisë.
Duke marrë fjalën në debatin parlamentar të diskutimit në parim të ndryshimeve në buxhet, ministri i Drejtësisë numuroi disa nga investimet e rëndësishme të planifikuara nga qeveria, që i kontribuojnë reformimit të sistemit të drejtësisë në vend.
Nishani tha se krahas memorizimit të vendimeve gjyqësore, që i kontribuon krijimit të statistikave të besueshme dhe korrekte në sistemin gjyqësor, një investim i rëndësishëm i qeverisë shqiptare i parashikuar në buxhet me fondet e paprekura, është krijimi i një regjistri elektronik të përmbarimit.
"Një tjetër angazhim i rëndësishëm që është në rrugën e negocimit mes ministrive të Financave dhe të Drejtësisë është ai që lidhet me nivelin e pagave të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të Apelit", tha Nishani.
Kuvendi, prej gati dhjetë orësh, po vijon debatin për projektligjin e qeverisë "Mbi disa ndryshime në buxhetin 2010".
Rreth orës 21:00 të ditës së sotme pritet votimi në parim i këtij drafti, i cili më pas do të rikthehet në komisionet parlamentare për diskutimin nen për nen./a.s//n.m/