English

Kuvend: Opozita Kundër Ndryshimeve Në Buxhetin E Vitit 2010

TIRANË, 19 Korrik/ATSH/.- Deputetët e opozitës vazhdojnë të kundërshtojnë sot në Kuvend rishikimin e ligjit të buxhetit të vitit 2010, të propozuar nga qeveria duke e konsideruar atë "buxhetin e krizës". Nënkryetarja e grupit parlamentar, të Partisë Socialiste, Vasilika Hysi në diskutimin e saj tha se ndryshimet në buxhet, po diskutohen në momentin kur qeveria vazhdon të mohojë krizën ekonomike. "Buxheti i miratuar me eufori dhe pa transparencë 8 muaj me parë, sot shkurtohet në masën 25%. Me këtë projekt, shkurtohen 17.000 mijë vende pune, ndërkohë që qeveria një vit me parë premtoi një qeverisje të begatë dhe hapje frontesh pune të reja", tha deputetja Hysi. Sipas saj, p/ligji i qeverisë, "pavarësisht se synon të parandalojë thellimin e krizës, i jep mundësi drejtuesve të institucioneve të heqin nga puna punonjës të kualifikuar dhe të marrin me kontrata të përkohshme pune punonjës të tjerë, që mesa duket do t'u ofrohen vende pune si shpërblim, për shërbimet që ata do të japin në zgjedhjet e ardhshme vendore, apo si shpërblim për shërbimet që i ofrojnë kësaj qeverie". Ndërsa, nënkryetari tjetër i grupit parlamentar socialist, Saimir Tahiri, tha se "p/ligji e propozuar është buxheti krizës për qytetarët, të cilët nga faturat e energjisë, tashmë të papërballueshme, nga faturat e ilaçeve, të ushqimeve e deri tek rrogat e pensionet e pamjaftueshme, zhyten në krizë përditë e më shumë". "Ky është buxheti i krizës tuaj qeverisëse, sepse maxhoranca e shpartalloi buxhetin e vitit që kaloi për të gënjyer shqiptarët me investime fiktive dhe shpenzime marramendëse elektorale', tha ai. Debati në parlament për rishikimin e ligjit të buxhetit 2010 vijon prej 6 orësh në Kuvend me diskutime të gjata dhe herë-herë të ashpra mes deputetëve të të dyja palëve. Pas miratimit sot në parim, p/ligji i qeverisë do të kthehet sërish në komisionin parlamentar të Ekonomisë për shqyrtimin e tij, nen për nen./a.s//n.m/
KOMENTE