English

Kuvend-Ruli:Opozita Nuk E Pranon Impaktin Pozitiv Të Reformave Në Ekonominë E Vendit

TIRANË, 19 Korrik/ATSH/.- Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli deklaroi sot në Kuvend se opozita nuk e pranon impaktin pozitiv të reformave në ekonominë e vendit. Ministri Ruli, duke mbrojtur draftin e propozuar nga qeveria për rishikimin e buxhetit, akuzoi opozitën për retorikën agresive të përdorur ndaj ecurisë pozitive të ritmeve të ekonomisë së vendit. "Ishin reformat që e shkëputën Shqipërinë në vitin 2006 nga rreziku i hyrjes në orbitën e rritjes ekonomike të ulët. Sikundër paralajmëronte Banka Botërore ishin këto reforma që i dhanë ekonomisë shqiptare energjinë e nevojshme për rritjen e pandërprerë ekonomike, duke e bazuar atë mbi të gjitha në investimet reale në të gjitha fushat. Opozita nuk mund ta pranojë impaktin pozitiv të reformave, pasi ajo nuk i pranoi asnjëherë ligjet për këto reforma të sjella në Kuvend", tha ministri shqiptar i Bujqësisë. Në fjalën e tij në parlament Ruli reagoi dhe ndaj akuzave të vazhdueshme që kryetari i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama ka adresuar ndaj qeverisë lidhur me situatën ekonimke në vend. "Rama hyri në politikë për herë parë gjatë një krize politike; ai u ngjit në krye të PS-së po për shkak të një krize politike. Dhe duke qënë se ky lider po pëson humbje, në vend të ndryshojë strategjinë e taktikën përsëri po vijon sjelljen e tij të parapëlqyer që është kriza. Ju kujtoj se këshilltari më i besueshëm ekonomik për Edi Ramën nuk është asnjë nga ekspertët e ekonomisë së PS-së, por miku i tij biznesmen, i cili prej 10 vitesh u jep leksione shqiptarëve në rubrikën si "Të bëheni milioner", ndërkohë që prej 20 vjetësh ka bilance me humbje në të gjithë aktivitetin e tij", përfundoi ministri Ruli fjalën në Kuvend./a.s/
KOMENTE