English

Kuvendi Miraton Ne Parim Ndryshimet Ne Buxhetin E Vitit 2010

TIRANË, 19 Korrik/ATSH-E.Xhajanka/- Kuvendi miratoi në parim me 71 vota të mazhorancës, të hënën në mbrëmje në seancë plenare, projektligjin "Për disa ndryshime në buxhetin e shtetit për 6-mujorin e dytë të vitit 2010", që parashikon shkurtimin e shpenzimeve buxhetore me 39 miliardë lekë dhe uljen e mëtejshme të defiçitit buxhetor. "Borxhi ynë publik është tërësisht i parrezikshëm", tha në mbyllje të punimeve të seancës ministri i Financave, Ridvan Bode, duke kërkuar "të mbështesim këto ndryshime", të cilat i quajti "ndryshime në të mirë të ekonomisë dhe të shqiptarëve". "Ne vijmë me ketë buxhet jo për të rritur taskat, sepse besojmë në kapacitetin e pafund që ka ekonomia shqiptare për tju kthyer ritmeve më të larta që ka ekonomia", tha Bode, duke shtuar se "ky është buxheti që dëshmon vullnetin e thellë të kësaj qeverie, që i bashkangjitet të gjitha vendeve për një qëndrueshmëri ekonomike afatgjatë". Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, "rishikimi i buxhetit vjen pas një periudhe stresi të fortë ekonomik në tremujorin e fundit të vitit 2009, si dhe në muajt e parë të vitit 2010, ku ekonomia shqiptare pati një rritje prej 3.3% dhe tremujori i pare i këtij viti konfirmon po ashtu, një rritje prej 2.2%". Nisur nga këto zhvillime në tregjet financiare globale dhe në ekonomitë e vendeve të euros dhe periferike me ne, tha Bode, "nga zhvillimet në tregjet e brendshme, në tregjet monetare dhe ato të ekonomisë reale, qeveria propozon një model buxhetimi, i cili bazohet në një rritje ekonomike prej rreth 4.1% për vitin 2010 dhe do të mundësojë përshpejtimin në muajt në vijim të ritmeve të rritjes së ekonomisë së vendit". Ekonomia shqiptare në përfundim të 6-mujorit të parë, theksoi kreu i Financave, shënoi rritjen e eksporteve shqiptare, me rreth 72% me të larta dhe të importeve me 8%, ndërkohë, kur të gjitha ekonomitë e rajonit tonë janë me një rënie të vëllimit të importeve me -4% Serbia, -12% Mali i Zi dhe -10 % Kroacia. Gjatë kësaj periudhe, investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të këtij viti ishin 29% më të larta, në krahasim me një vit më parë dhe depozitat e kursimit, njëri prej burimeve të financimit të rritjes ekonomike të vendit, kanë një trend pozitiv. "Të gjitha këto zhvillime e bëjnë qeverinë shqiptare që t'i rikthehet nevojave për të garantuar burimet e rritjes", tha Bode. Sipas tij, rishikimi i buxhetit konsiston në përmirësimin e zërave të miratuar të tij. "Përmes këtij dokumenti financiar qeveria do të mbështesë politikën e taksave të ulëta, ndërkohë që nuk parashikohet rritje e taksave", tha ministri Bode, duke bërë të ditur se "parashikohet një ulje prej 20 miliardë lekësh në investimet publike, të ardhurat në buxhetin e shtetit parashikohen të ulen në 27. 3 miliardë lekë dhe gjithashtu, parashikohet ulje e shpenzimeve deri në 39 miliardë lekë". "Kjo ulje e të ardhurave në buxhetin e shtetit reflekton ritmet e brendshme të zhvillimit të rritjes ekonomike, të cilat kanë qënë të programuara në mënyrë normale dhe optimiste në buxhetet e mëparshme", tha Bode. Ai shtoi se "ne programojmë në buxhetin e rishikuar, një rritje të të ardhurave prej 11.4 % më shumë, në krahasim me faktin e vitit 2009 nga 20 % që ishte parashikuar në fillim të vitit". Por, gjithesi tha ministri i Financave, "kjo përbën një rritje më të lartë se mesatarja 10-vjeçare". Duke shpjeguar ndryshimet në buxhet sipas projektligjit, që u miratua sonte në mbrëmje në Kuvend, Bode tha se "Të ardhurat në buxhetin e shtetit do të jenë 334 miliardë lekë. Ulja e të ardhurave në sektorin e tatimeve dhe doganave është 16 miliardë lekë, në sektorin e pushtetit lokal 5.5 miliardë lekë, kontributet e sigurimeve shoqërore ulen me 7.8 miliardë lekë dhe rriten të ardhurat jo- tatimore me 4 miliardë lekë". Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas kreut të financave publike, ulen me 39 miliardë lekë. Por, ministri Bode deklaroi se "ulja e shpenzimeve nuk prek disa nga prioritetet e deklaruara të qeverisë. Kjo ulje e shpenzimeve na çon në atë që kemi deklaruar se niveli i shpenzimeve publike nuk duhet të jetë më i madh se 1/3 e PBB-së. Ky ka qënë objektivi ynë". Bode tha se "politika që kemi shpallur për një reduktim të shpenzimeve buxhetore, përbën një realizim të objektivit për një qeverisje të vogël dhe të kontrolluar në raport me biznesin privat". Në këtë drejtim ai u shpreh se "nuk prekëm pagat, përkundrazi, i rritëm rreth 16 miliardë lekë dhe pensionet, që edhe këtë vit patën një rritje", duke theksuar se dhe pjesa e pensioneve në strukturën e buxhetit të shtetit ka ardhur në rritje, sikurse të gjitha shërbimet sociale, që kanë ardhur duke u rritur". Sipas Bodes, ato që pësojnë ulje të ndjeshme, janë shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, ku pjesën kryesore e kanë patur shpenzimet qeveritare dhe administrative me 22 %, që ka prekur të gjitha institucionet. Bode nënvizoi se "me disa reforma që kanë të bëjnë me transportin dhe me disa reforma të tjera që janë duke u thelluar, e zbresin në minimumin historik të nivelit të shpenzimeve administrative, në 2.5 % të PBB-së". Sipas tij, "këto operacione çojnë në një ulje të mëtejshme të defiçitit buxhetor, duke zbritur programin e vitit 2010, nga 4 % të PBB-së të programuar, në 3.3 % të PBB-së, që është niveli më i ulët historik i realizuar ndonjëherë me përjashtim të viteve 2006-2007, ku niveli i defiçitit ka qënë 3.4-3.5 % e PBB-së". Deputetët e opozitës gjatë diskutimit maratonë të këtij projekligji u shprehën se ndryshimet në buxhetin e 2010-s, do të rëndojnë ekonominë e familjeve shqiptare dhe do të rrënojnë ekonominë e vendit. Deputeti i PS-së, Ilir Beqja tha se "niveli i ulët i të ardhurave tregon se kemi një ekonomi me probleme", ndërsa vuri theksin se, "prekja e fondeve publike, do të ulë ritmet e investimeve". Duke folur në emër të grupit parlamentar të opozitës, Beqja u shpreh se "rishikimi i buxhetit ka mungesë të transparencës dhe ai nuk është diskutuar me grupet e interesit". Sipas tij, "niveli i borxhit publik qëndron në shifra më të larta se treguesit standart, ç'ka tregon se ekonomia është në krizë", tha ai./n.m/
KOMENTE