Meta Pjesëmarrës Në Konferencën Ndërkombëtare Të Kabulit
TIRANË, 19 Korrik/ATSH, A.Gegvataj /- Siguria në Afganistan, zhvillimi i vendit dhe bashkëpunimi rajonal do të jenë disa nga çështjet, që do të diskutohen në Konferencën Ndërkombëtare të Kabulit, në Afganistan ku do të marrë pjesë edhe zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.
Drejtoria e shtypit në MPJ-së bëri të ditur se "me ftesë të ministrit të Jashtëm të Afganistanit, Zalmai Rassoul, Shefi i diplomacisë shqiptare u nis sot për në Afganistan ku do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kabulit".
Në konferencën, e organizuar nga Qeveria e Afganistanit, në bashkëpunim me OKB-në, do të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga më shumë se 70 vende, organizata ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe institucione financiare.
Gjithashtu, i pranishëm do të jetë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.
Në konferencën ndërkombëtare të Kabulit pjesëmarrësit pritet të diskutojnë rreth sigurisë në Afganistan, zhvillimit të vendit, bashkëpunimit rajonal, ripajtimit dhe ri-integrimit, si dhe do të shprehin vullnetin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërkombëtar në mbështetje të Qeverisë afgane për përmirësimin e situatës në vend./a.s/