English

Ministri Nishani prezanton Strategjinë Sektoriale të Drejtësisë

Tiranë, 19 korrik, NOA – Duke iu referuar objektivit kryesor të qeverisë forcimit të shtetit të së drejtës dhe çmontimin e sistemit të korrupsionit, ministri i Drejtësisë Bujar Nishani në prezantimin e Strategjisë Sektoriale të Drejtësisë theksoi se “mbetet imperative vazhdimi i përpjekjeve tona për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, si një detyrim me karakter absolut dhe i pakushtëzuar ndaj qytetarëve shqiptarë, por edhe si angazhim i ndërmarrë nga Shqipëria në strukturat euro-atlantike.

Ministri Nishani tha se “Prezantimi i kësaj Strategjie synon jo vetëm kristalizimin e parimeve, qëllimeve dhe objektivave mbi sistemin e drejtësisë, por mbi të gjitha bashkërendimin dhe koordinimin institucional në një të vetëm”.

Sipas ministri të Drejtësisë, me anë të këtij dokumenti strategjik synohet përsosja më tej e sistemit të drejtësisë, rritja e aksesit në drejtësi, rritja e besimit të publikut në drejtësinë shqiptare duke e forcuar dhe rritur më tej kontributin e këtij sektori në zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe duke nxitur e përshpejtuar integrimin evropian.

E bazuar në politikat ekzistuese të Qeverisë Shqiptare, të prezantuara nëpërmjet dokumenteve kyçe si Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013 dhe Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, kjo strategji merr në analizë çështjet e identifikuara të sistemit të drejtësisë, si dhe synon të përcaktojë prioritetet dhe objektivat për të ardhmen e punës së aktorëve të sistemit të drejtësisë.

Në themel të këtij dokumenti strategjik është përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të sistemit të drejtësisë, të ofruara përkundrejt kostove efektive. Shërbimet e këtij sistemi duhet të jenë të orientuara për të përmbushur me cilësi, shpejtësi dhe efektivitet nevojat e përdoruesve dhe të komunitetit.

Ministri Nishani shpalli parimet kryesore të strategjisë që prezantoi që janë pavarësia dhe paanësia e pushtetit gjyqësor, përgjegjshmëria e gjyqtarëve dhe aktorëve të tjerë ndaj Kushtetutës dhe Ligjit; rritja e aksesit për qytetarët në drejtësi; rritja dhe konsolidimi i transparencës së të gjithë veprimtarisë së sistemit të drejtësisë.

Nishani shtoi se në hartimin e draft strategjisë sektoriale të drejtësisë kanë kontribuar të gjithë institucionet e përfshira në sistemin e drejtësisë si dhe organizatat e tjera që operojnë në fushën e drejtësisë, duke formuar në këtë mënyrë një dokument unik, i cili do të shërbejë si një udhërrefyes për punën e të gjithë këtyre aktorëve.

mit/NOA
KOMENTE