Përmbledhje - Indi - Të Paktën 57 Të Vdekur Nga Një Përplasje Mes Trenave
SAINTHIA, 19 korrik /ATSH-AFP/ - Të paktën 57 persona gjetën vdekjen dhe më tepër se 100 pasagjerë janë plagosur nga një përplasje mes dy trenave që ndodhi sot në mëngjes në lindje të Indisë, njoftojnë autoritetet të cilat tremben se bilanci mund të rëndohet ende pasi pasagjerët kanë mbetur të bllokuar.
Një tren ekspres që shkonte në Kalkutë u përplas rreth orës 02:00 të ditës së sotme (20:30 GMT të ditës së diel) me pjesën e pasme të një treni tjetër, që kishte ndaluar në një stacion të distriktit Birbhum, rreth 200 kilometra në veri të Kalkutës, kryeqyteti i Bengalit Perëndimor.
Përplasja ishte aq e fortë sa një prej vagonave të fundit të trenit që kishte ndaluar fluturoi në ajër dhe ra në një urë që lidh hekurudhat, ku mbeti e varur.
"Bilanci ka arritur në 57 të vdekur", i deklaroi AFP-së ministri i ngarkuar me ndihmat për qeverinë lokale të Bengalit Perëndimor, Murtaza Hussain, duke shtuar se pret që bilanci të jetë më i madh se 60 të vdekur.
Zyrtari i policisë, Humayun Kabir, i deklaroi AFP-së me telefon që nga vendi i aksidentit se bilanci i ka kaluar 50 të vdekur.
Sipas policisë, rreth 120 persona janë plagosur, 40 prej të cilëve rëndë.
Skuadrat e ndihmës vazhdojnë të nxjerrin trupa pa jetë ose pasagjerë të plagosur nga grumbulli i llamarinave, të ndihmuar nga një turmë kalimtarësh të cilët u mblodh rreth vendit të aksidentit.
Nuk dihet ende asgjë për shkaqet e mundshme të përplasjes, që ndodh dy muaj pas një përplasjeje tjetër hekurudhore në këtë shtet, shkaku i të cilës ishte një sabotazh i rebelëve maoistë dhe që shkaktoi 150 të vdekur.
Një tren i linjës Kalkuta-Bombei ka dalë nga shinat dhe është futur ë një tren mallrash në shinat përballë.
"Vazhdojmë të kërkojmë elementë dhe do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të zbuluar shkaqet e katastrofës", i deklaroi shtypit ministrja e Transporteve hekurudhore, Mamata Banerjee, edhe ajo vetë me origjinë nga Bengali Perëndimor.
Ministrja konfirmoi vdekjen e 49 personave. Rreth 500 000 rupi (10 500 dollarë) do t'u jepen familjeve të të vdekurve dhe 100 000 familjeve të të plagosurve.
Shumica e të vdekurve ndodheshin në pjesën e pasme të trenit, në disa vagona pa vende të përcaktuara me numër, që zakonisht janë të tejmbushur.
"Pasagjerët e vdekur ndodheshin në vagona të pa rezervuar. Nuk dimë as emrat as informacione kryesore për të njoftuar të afërmit", i shpjegoi AFP-së Sunil Banerjee, një zyrtar lokal i trafikut hekurudhor.
Rrjeti hekurudhor i administruar nga shteti dhe që transporton 18,5 milionë persona çdo ditë në Indi mbetet mjeti kryesor i transportit për distancat e gjata në këtë vend të madh, pavarësisht konkurrencës së kompanive të mëdha private ajrore.
Çdo vit, regjistrohen 300 aksidente hekurudhore dhe aksidentet e mëparshme kanë shkaktuar qindra të vdekur.
Në vitin 1995, më tepër se 300 persona kanë vdekur nga një përplasje pranë Ferozabadit, pranë qytetit Agra, ku ndodhet i famshmi Taxh Mahal.
Aksidenti më i rëndë ka ndodhur në vitin 1981, kur një tren doli nga shinat dhe ra në një rrjedhë uji, në lindje të shtetit Bihar (në lindje), duke shkaktuar vdekjen e 800 personave.
/I.Pu.