Lezhë, 19 korrik, NOA Update – Rreth 500-600 qytetarë të Lezhës, kanë bllokuar në këto momente rrugën kryesore kombëtare dhe kanë paralizuar trafikun e saj, ndërsa po hedhin parulla në mbrojtje të djaloshit 16-vjeçarit që mbeti i vrarë pardje në përpjekje me forcat policore.
Siç bën të ditur korrespondenti i agjencisë së Lajmeve NOA, turma qytetarësh të qytetit verior kanë dalë në rrugën kombëtare Lezhë-Shkodër duke protestuar dhe duke përmbysur madje një makinë të policisë.
Ata duken mjaft të acaruar dhe mesa duket, kanë vendosur të mos e lirojnë rrugën kryesore të aksit verior në vend, duke përbërë kështu një pengesë serioze për qarkullimin në këtë zonë.
Aksioni i policisë nisi pas identifikimit të dy grabitësve të disa malazezëve në një lokal në hyrje të Lezhës, ku persona të maskuar u grabitën atyre në autostradën Lezhë-Shkodër, rreth 20 mijë dollarë, dokumentet amerikane dhe makinën me të cilën udhëtonin.
Policia nga ana e saj ka dyshuar se 16-vjeçari me inicialet A.S, ka qenë autori i kësaj grabitje dhe ndërsa ai po udhëtonte me makinën tip Benz me targa Tr 78 70 R, ka qëlluar ndaj tij, duke i shkaktuar vdekjen.
Për qytetarët e Lezhës që kanë dalë në protestë, e gjithë kjo që ka ndodhur është e padrejtë dhe 16-vjeçari i vrarë ishte i pafajshëm dhe ndaj duhen gjetur vrasësit e tij brenda radhëve të policisë.
n.e/NOA