English

PS, Hysi: Buxheti i krizës, mundësia e artë për pasurimin e qeveritarëve

Tiranë, 19 korrik, NOA – Në seancën maratonë për miratimin e shkurtimit të buxhetit të vitit 2010, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi duke ironizuar rritjen e madhe ekonomike që kryeministri Berisha kishte deklaruar një vit më parë, ritheksoi varfërimin e skajshëm të shqiptarëve.

Ajo iu referua premtimit të qeverisë se do të kompensonte të gjithë pronarët dhe do të dëmshpërmblente të gjithë të përndjekurit politikë, por sot ata jo vetë nuk janë dëmshpërblyer, por fondet për ta shkurtohen.

Deputetja Hysi iu referua ndër të tjera edhe premtimit të vitit 2005, kur Berisha tha se nuk do të ketë vendim gjyqësor të formës së prerë i pa ekzekutuar, kur në fakt në këto pesë vjet, shumica e vendimeve civile të gjykatave janë të paekzekutura dhe qeveria Berisha ka rritur borxhin e vet ndaj këtyre qytetarëve.

“Si për ironi të fatit, projektiligji për ndryshimet në buxhetin e vitit 2010, pavarësisht se bën fjalë për një buxhet, që synon të parandalojë thellimin e mëtejshëm të krizës, i jep mundësi drejtuesve të institucioneve të heqin nga puna profesionistë, punonjës të kualifkuar dhe të marrin me kontrata të përkohshme pune punonjës të tjerë, që mesa duket do t’u ofrohen vende pune si shpërblim për shërbimet, që ata do të japin në zgjedhjet e ardhshme vendore, ose si shpërblim për shërbimet, që i ofrojnë kësaj qeverie”, deklaroi nga foltorja e kuvendit deputetja e Partisë Socialiste.

Sipas Hysit, shqiptarët do të provojnë në shpinën e tyre jo vetëm rritjen e çmimeve dhe shërbime sociale dhe shëndetësore më të pakta, më të shtrenjta dhe jocilësore, por edhe jeta dhe siguria e tyre do të jenë më pak të mbrojtura, pasi sot shkurtohen fondet për të luftuar krimin, krimin e organizuar dhe korrupsionin, fondet, që mundësojnë rendin dhe sigurinë publike.

Duke vijuar në këtë linjë sipas Hysit, shkurtimi i buxhetit në të gjithë sektorët, përfshirë edhe ata jetikë bëhet pa mbajtur parasysh se sot kriza rëndon në kurrizin e çdo familjeje të ndershme, të arsimtarëve, të punëtorëve, fermerëve, të të papunëve, të pensionistëve, por jo në shpinën e ministrit Prifti, pasuria e të cilit është shtuar në mënyrë marramendëse me 1.8 milion lek në një vit krize mbarëbotërore.

Hysi apeloi për mungesën e transparencës në hartimin e buxhetit, dhe të shumë nismave ligjore të cilat sillen me urgjencë, diskutohen me urgjencë dhe miratohen pa transparencë dhe pa asnjë studim dhe konsultim me grupet e interesit dhe vlerësim real të nevojave.

Deputetja e PS-së, Hysi theksoi në fjalën e saj se “Rishikimi i buxhetit nuk mund të bëhet duke u shkurtuar fondet për qytetarët që sot vuajnë, për pensionistët, për shërbimet ndaj të sëmurëve, për kompesimin e energjisë, për arsimimin e fëmijëve të familjeve që nuk mund ti dërgojnë fëmijët në shkolla private, për të pastrehet”.

Sipas deputetes Hysi, sikundër edhe deputetët e tjerë të PS-së, “në kushtet e krizës, buxheti i propozuar nuk është gjë tjetër veçse një mundësi më shumë për të pasuruar disa familje qeveritare dhe të afërm të tyre dhe të varfërojë dhe të shkatërrojë gjithë shqiptarët”.

mit/NOA
KOMENTE