English

Rama projektligji i SHISH: LSI do të votojë vetëm ndryshimet e konsultuara me NATO-n.

Tiranë, 19 korrik, NOA – Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi sot se do të votojë ndryshimet në ligjin për SHISH-in, por vetëm ato që janë hartuar në konsultim me NATO-n.

Në një konferencë për shtyp, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha se në rendin e ditës janë përfshirë të gjitha projektligjet e mbetura pezull gjatë këtij 6-mujori, përfshirë dhe ligjin për SHISH-in.

Ai iu referua angazhimit të Shqipërisë si anëtare e NATO-s, duke thënë se vendi ynë i ka përmbushur me sukses detyrimet në çdo drejtim, gjë që e deklaroi në vizitën e tij në prill, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen.

Sipas Ramës, bashkëpunimi në fushën e shërbimeve inteligjente dhe në luftën kundër terrorizmit, është prioritet madhor i NATO-s dhe i Shqipërisë.

Në këtë kontekst, iu përgjigj interesimit të mediave, Rama, “çdo ndryshim, besoj se do të bëhet në bashkëpunim dhe konsulencë të ngushtë me NATO-n, sepse në fund të fundit, të gjitha këto janë detyrime, që rrjedhin nga angazhime madhore që ka marrë Shqipëria.

“LSI do të përkrahë vetëm ndryshimet e mirë-konsultuara me aleancën”, definoi mendimin e partisë së tij Luan Rama, mbi projektligjin e kundërshtuar fort nga PS, si synim të qartë për të kontrolluar SHISH-in, një projektligj që pritet të miratohet në seancën e ardhshme plenare, edhe pse kuvendi e ka përjashtuar si mundësi.

mit/NOA
KOMENTE