Romë, 19 korrik, NOA – Nëse i nxehti i madh i këtyre ditëve bëhet normë, shkencëtarët pohojnë se pasojat e tij do të jenë shkatërruese në mbarë botën.
Një fakt të tillë ata e kanë konkluduar në një raport të posaçëm, i cili për herë të parë përcakton ndikimin e çdo shkalle të rritjes së temperaturave, duke gjetur për shembull faktin se shtimi me 1 gradë Celcius, do të shkaktonte 5-10 % me pak shi në të gjithë zonën e Mesdheut.
“Përgjegjës kryesor i rritjes së temperaturës mesatare në vitet e ardhshme do të jetë emetimi i dioksidit të karbonit dhe ai do të përcaktojë ndryshimet e klimës për vitet që do të vijnë, pasi kjo molekulë vazhdon në atmosferë për mijëvjeçarë”, thotë Susan Solomon, koordinator i raportit.
Në mesin e të dhënave bazë të nxjerra nga paneli, tregohet sesi rritja me 1 gradë e temperaturave do të shkaktojë edhe katastrofa si përmbytjet apo pasoja negative për bujqësinë, me një reduktim të të lashtave të mëdha si gruri dhe misri, 5 në 15% më shumë për çdo shkallë të rritjes.
Lumenjtë janë gjithashtu në rrezik, ku shumica e tyre në të gjithë botën, që nga Nili përshembull, do të zvogëlonin rrjedhjen e tyre deri në nivelet prej 5-10 % në SHBA dhe Evropën Jugore etj.
n.e/NOA