English

Shkoder: Esmira Ramollari Nga Tirana Fituese E "Miss Earth Albania 2010"

SHKODËR, 19 Korrik/ATSH-G. Marku/- 17 vjeçarja Esmira Ramollari nga Tirana, nxënëse e shkollës të mesme të Gjuhëve të Huaja në kryeqytet për frëngjisht, është fituesja e konkursit të bukurisë "Miss Earth Albania 2010", i organizuar në teatrin "Migjeni" të Shkodrës. Aktiviteti në fjalë, i cili e ka zanafillën e tij në vitin 2006 në Mbretërinë e Bashkuar përmes kompanisë "Alba Media" me qëndër në Londër, erdhi për herë të parë në Shqipëri duke qënë Shkodra qyteti i parë mikpritës i tij. 32 vajzat konkurentë nga disa qytete të Shqipërisë, si dhe nga diaspora, kanë përformuar për rreth 2 orë e gjysëm në disa sfilata radhazi, të shoqëruara edhe me programin artistik që u përcoll për publikun shkodran. Juria, e përbërë me Missin e vitit të kaluar, Suada Saliu, si dhe personalitete të fushës së artit, me kryetar Petrit Kuqana, drejtues i gazetës "Albania" në Londër, ka shpallur fituesit. Prezantimi i çmimeve ka filluar me Miss Zjarri, që i ka takuar Erkika Hunqi nga Korça, 21 vjeçe, për të vijuar me Miss Uji, të cilin e fitoi Nina Zeneli, 20 vjeçe, nga Puka, Miss Ajri, Irela Hasani, 23 vjeçe nga Lezha, ndërkohë që çmimin kryesor të Miss Toka-Miss Earth Albania 2010, e ka fituar 17 vjeçarja Besmira Ramollari, nga Tirana. "Është hera e parë që marr pjesë në këtë konkurs dhe suksesim tim dëshiroj ta ndaj me nënën time që është në Tiranë dhe po kalon një sëmundje", tha për ATSH-në bukuroshja fituese, 17 vjeçare nga Tirana. Ajo shfaqet shumë optimiste se do t'i bëjë një përfaqësim dinjitos Shqipërisë në konkursin botëror që zhvillohet në Teksas të Amerikës në muajin tetor. Petrit Kuqana, drejtues i gazetës "Albania" në Londër, tha se "ishte ndër eksperiencat më fantastike për ne, pasi kemi organizuar edhe spektakle të tjera bukurie në Mbretërinë e Bashkuar, madje edhe në Amerikë, por ky spektakël, i cili organizohet për herë të parë në Shqipëri, padyshim që ka qënë më i veçanti ndër të gjithë të tjerët". Sipas tij, ndër fituesit e shpallura ne Shkodër, Miss Adoleshenca dhe Miss Toka, janë dy vajzat që do të përfaqësojnë Shqipërinë në konkursin botëror që do të organizohet në Amerikë dhe Vietnam. Drejtuesit e qeverisjes vendore të Shkodrës kanë përgëzuar Kompaninë "Alba Media" me qëndër në Londër dhe në mënyrë të veçantë presidentin e saj, shkodranin Enkeled Omi, organizatorët e këtij aktiviteti, të cilët bënë të mundur që ky konkurs bukurie të vinte për herë të parë në Shqipëri. Omi tha per ATSH-ne se "bazuar në përvojën shumë pozitive që kaloi në promovimin e parë në Shqipëri, shpreh bindjen e plotë se "Miss Earth Albania" do të jetë edhe vitet e tjera në Shqipëri duke kaluar në qytete të ndryshme të saj". /a.ke/
KOMENTE