English

Sport-Futboll/ Lëvizjet E Fundit Në Merkaton E Superligës

TIRANË, 19 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ Klubet e Superligës po vijojnë përforcimin e organikës së tyre në këtë merkato verore. Flamurtari ripërtëriti kontratën me mbrojtësin Elton Grami. 26-vjeçari, i cili sezonin e kaluar luajti me Apoloninë (9 ndeshje) dhe me Flamurtarin (14 ndeshje, 2 gola) u shpreh i kënaqur me vlerësimin e bërë nga drejtuesit e klubit vlonjat. Ndërkohë, Flamurtari është në pritje të sulmuesit të Tiranës, Sebino Plaku (25 vjeç, 6 gola sezonin e kaluar). Flamurtari u nis sot drejt Ohrit të Maqedonisë, ku për 20 ditë do të kryejë fazën përgatitore. Renato Arapi firmosi një kontratë 2-vjeçare me Shkumbinin. Prova e tij 10-ditore në Greqi te Panionos, sipas medieve greke nuk bindi trajnerin Mikael Store. Ish-mbrojtësi 23-vjeçar i Besës (31 ndeshje sezonin e kaluar) është tashmë nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa. Shkumbini i presidentit të ri Ylli Ndroqi është një ndër skuadrat më aktive në merkaton verore. Mesfushori Erind Koreshi firmosi një kontratë trevjeçare me Bylisin. 23-vjeçari sezonin e kaluar ishte pjesë e Lushnjës. Me Bylisin e presidentit Besnik Kapllanaj dhe trajnerit Ilir Spahiu pak ditë më parë firmosën edhe mbrojtësi Emiljano Çela dhe mesfushori Klodian Salillari. Bylisi është në sulm për dyshen e sulmit të Apolonisë gjatë sezonit të kaluar, Mlladen Bërkiç (15 gola) dhe Sead Haxhibuliç (6 gola). Bylisi, i rikthyer në Kategorinë Superiore, ndeshjen e parë e ka kundër Vllaznisë në Shkodër (21 gusht 2010). Alban Bruka është trajneri i ri i Besëlidhjes së Lezhës (Kategoria e Parë). Ndihmësi i tij do të jetë Vesel Sokoli. Takimi i parë i Besëlidhjes në sezonin 2010-2011 është ai kundër Apolonisë së Fierit (11 shtator 2010). Mbrojtësi i majte Arben Prela mund të jetë sërish pjesë e Lushnjës. Lezhjani 25-vjeçar është në pritje të ofertës financiare të presidentit të Lushnjës, Albert Sanxhaku. Lushnja nuk ka arritur akordin me mbrojtësin Erion Xhafa. /f.n/
KOMENTE