Sport: Merkato - Vioresin Sinani Rikthehet Tek Vllaznia
SHKODËR, 19 Korrik/ATSH-G. Marku/ - Vioresin Sinani është firma më e re në radhët e kuqebluve të Vllaznisë. Ish-kapiteni i Vllaznisë, i cili më parë ka luajtur edhe me Tiranen, ndërkohë që sezonin e kaluar e mbylli me ekipin e Besës, që nga dita e sotme është lojtar i Vllaznisë së Shkodrës.
Burime zyrtare nga klubi shkodran bëjnë të ditur se oferta në adresë të Sinanit kishte mbërritur që në fundjavën e kaluar, ndërkohë takimi i sotëm me presidentin Fushaj, ku është arritur akordi financiar, ka sjellë edhe nënshkrimin e kontratës me afat kohor njëvjeçar.
Kështu, teknikut malazez që drejton Vllazninë, Mojash Radonjiç, i është plotësuar njëra nga kërkesat e paraqitura për repartin e sulmit, pasi ai kishte kërkuar dy lojtarë me përvojë për të qënë në rolin e titullarit.
Mesohet gjithashtu se firma tjetër për këtë repart mund të jetë e futbollistit kroat, Jumiç, te cilit, pas disa testimeve në skuadrën shkodrane, i është ofruar një kontratë njëvjeçare.
Në pritje të nënshkrimit me Vllazninë është edhe shkodrani Valdano Nimani, i cili në dy sezonet e kaluara ka luajtur për ngjyrat e Laçit. /a.ke/